Aktorët e njohur britanikë Tom Hiddleston dhe Zawe Ashton do të bëhen prindër për herë të dytë! Lajmin e ëmbël e konfirmoi vetë Ashton në një intervistë të fundit për revistën Vogue, ku zbuloi se është në pritje të një fëmije të dytë me partnerin e saj, yllin e filmave Marvel, Tom Hiddleston.

Pas publikimit të lajmit, çifti mori pjesë në premierën e filmit më të ri të Hiddleston, “The Life of Chuck”, gjatë festivalit SXSW në Londër. Ashton u shfaq mahnitëse në tapetin e kuq, duke veshur një fustan mëndafshi në ngjyrë qielli të dizajneres britanike Emilia Wickstead, duke nxjerrë në pah barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë.
Tom dhe Zawe u njohën në vitin 2019 gjatë shfaqjes teatrale “Betrayal”, ku luajtën së bashku, dhe prej asaj kohe kanë mbajtur një marrëdhënie të qëndrueshme por larg vëmendjes publike. Në tetor 2022, ata mirëpritën fëmijën e tyre të parë, ndërsa lajmin për shtatzëninë e parë Ashton e zbuloi në një paraqitje speciale për premierën e filmit “Mr. Malcolm’s List”.
Në një intervistë për Los Angeles Times në mars 2022, Hiddleston tha: “Jam shumë i lumtur”, duke konfirmuar për herë të parë publikisht lidhjen e tyre, disa muaj pas paraqitjes së çiftit në tapetin e kuq të Çmimeve Tony në 2021.
© Panoramaplus.al
