Alketa Vejsiu pak ditë më parë zbuloi se ishte prekur me COVID-19. Dhe gjatë një interviste me ndjekësit në Instagram, moderatorja zbuloi më shumë detaje rreth infektimit me koronavirus.
Ajo u shpreh se u prek nga pandemia rreth 1 muaj më parë.
Alketa Vejsiu tregoi se pasi zbuloi se ishte infektuar u karantinua në dhomë më vete dhe familjarët e saj e kanë ndihmuar gjatë kësaj periudhe.
Moderatorja tha se fatmirësisht se familjarët e saj kanë gëzuar shëndet të plotë dhe nuk kanë rezultuar pozitiv me COVID.
“U karantinova në dhomë më vete. Kam njerëz në shtëpi që më kanë ndihmuar. Ushqimi i preferuar supë pule me limon dhe pak oriz, se nuk ndjeja asnjë shije, asnjë aromë. Për fat familjarë dhe njerëzit e shtëpisë kanë gëzuar shëndet të plotë, rezultuan negativ pasi bënë tamponin dhe testin e gjakut. Gjatë dy javëve mbajtja maskë edhe në shtëpi, dhe alkool me vete për çdo gjë që prekja,”- rrëfeu ajo.
Alketa Vejsiu tregoi edhe simptomat që kishte, duke përmendur edhe dy gjërat e këqija të këtij virusi.
Ajo tha se shenjat e para janë të lehta ndërsa nga dita e 5-të e infektimit, koronavirusi “të këput”.
“Ditën e parë kisha temperaturë 37.2 dhe ethe, kisha të ftohtë, pastaj 3 ditë asgjë, pak dhimbje të lehtë koke dhe rrufe. Dyshova kur më iku shija dhe nuhatja (që ishte simptoma më e bezdisur në rastin tim). Bëra tampon dhe dola pozitiva. Ky virus ka dy gjëra të këqija: nis lehtë dhe në ditën e 5-të të këput. Ditën e parë ke gjithmonë idenë se s’ke asgjë, thjesht je ftohur. Të krijon idenë që njerëzit e familjes nuk i kap dhe gjithmonë i shpenguar me ta. Kujdes gjatë gjithë kohës, fëmijët rezultuan negative por fëmijët në kopshte dhe shkolla janë mbartës dhe transmetues kështu që me ta duhet punë ndërgjegjësuese për të ulur probabilitetin e infektimit me sa të mundemi.
Në ditën e 5-të ndihesh nervoz dhe kur nis lexon ditarët e virusit online, ndjen edhe frikë. Bëra dhe skaner. Në fillim dhe në fund të dy javëve.
Shenja të lehta në mushkëri, rasti më i lehtë thanë mjekët. Lutem që kushdo që po lufton ta kalojë sa më lehtë,”– tha moderatorja.
Ajo tha se nuk ka pasur problem me frymëmarrjen dhe ka qëndruar në karantinë për 11 ditë. Por ende nuk ka bërë testin e antitrupave për të parë nëse është e mbrojtur nga COVID.
“Nuk pata asnjë problem me frymëmarrjen. Karantinë bëra 11 ditë të plota dhe ju riktheva jetës vetëm pasi rezultova negative dhe me maskë. Ende s’kam bërë testin e antitrupave për të parë nëse kam mbrojtje natyrale nëse e takoj sërish COVID,”– tregoi Alketa Vejsiu.
Moderatorja rrëfeu se dyshon që u infektua në një qendër estetike ku qëndroi pa maskë.
“Ndjeja përgjegjësi për familjen dhe punonjësit se mos i kisha infektuar. Mbajtja e maskës i ka mbrojtur ata. Për vete dyshoj se e kam marrë në një qendër estetike ku qëndrova pa maskë,”- u shpreh ajo.










