22 Prill, 2025

Kur të bëni një dush të nxehtë dhe kur një të ftohtë: Përfitimet për trupin


Marrja e një dushi të nxehtë pas një dite të gjatë në punë mund t’ju relaksojë. Ose, ndoshta një dush i ftohtë është pikërisht ajo që trupi juaj ka nevojë për t’ju zgjuar në mëngjes.

Shumica e njerëzve, gjatë muajve të ftohtë, preferojnë banjot me ujë shumë të nxehtë në çdo kohë të ditës. Por a e dini se edhe dushi i ftohtë duhet të ketë vend në rutinën tonë të përditshme?

Pavarësisht se si ndiheni për çdo lloj dushi, hulumtimet tregojnë se si dushi i nxehtë ashtu edhe ai i ftohtë kanë përfitime shëndetësore .

Pse të bëni një dush të ftohtë

Dushi në ujë nga 15 deri në 20 gradë Celsius konsiderohet një dush i ftohtë dhe nëse mund ta tolerojmë, mund të na sjellë shumë dobi.

Dushi i ftohtë i mban flokët me shkëlqim dhe lëkurën të hidratuar, ndërsa në të njëjtën kohë lehtëson simptomat e kruajtjes intensive. Përmirëson sistemin e qarkullimit të gjakut dhe forcon sistemin imunitar, ndërsa na ndihmon të zgjohemi më mirë në mëngjes.

Pse nuk duhet të bëni dush të ftohtë

Dushi i ftohtë mund të mos jetë një ide e mirë nëse tashmë jeni të ftohur, pasi temperatura më e ulët nuk do t’ju ndihmojë të ngroheni në asnjë mënyrë. Në fakt mund t’ju  ftohtë dhe të rrisë kohën që i duhet trupit tuaj për t’u ngrohur përsëri. Mund të mos jetë gjithashtu një ide e mirë nëse jeni të sëmurë, pasi nuk do t’ju ndihmojë të shëroheni më shpejt.

Kur është më mirë të bëni një dush të ftohtë?

Një dush i ftohtë nevojitet më shumë kur të zgjoheni në mëngjes, pasi do t’ju ndihmojë të zgjoheni dhe të keni më shumë energji gjatë mëngjesit tuaj. Nëse nuk e duroni dot të ftohtin ekstrem, dijeni se nuk ka nevojë të zgjasë më shumë se 5 minuta.

Pse na pëlqen kaq shumë dushi i nxehtë

Nëse keni probleme për t’u çlodhur ose për të fjetur gjatë natës, mund të tundoheni të bëni një dush të nxehtë për t’u çlodhur. Kjo është një praktikë e zakonshme për relaksimin e muskujve para gjumit, sepse uji i ngrohtë aktivizon sistemin nervor parasimpatik, i cili na ndihmon të relaksohemi. Kështu, një dush i nxehtë na çliron nga presioni dhe intensifikon ndjenjën e relaksimit. Në të njëjtën kohë, dushi i nxehtë na ndihmon të flemë më lehtë dhe përmirëson cilësinë e gjumit, duke e mbajtur lëkurën të pastër, pasi poret e hapura dhe toksinat e bllokuara në lëkurë gjatë ditës largohen.

Pse të mos bëni një dush të nxehtë?

Dushi i nxehtë mund të dehidratojë dhe irritojë lëkurën dhe ekziston mundësia që ato të përkeqësojnë disa sëmundje të lëkurës, si ekzema. Nxehtësia e lartë gjithashtu mund të shkaktojë kruajtje ose të irritojë më tej një zonë të prekur të lëkurës sonë. Në të njëjtën kohë, nëse keni probleme me presionin e lartë të gjakut ose sëmundje kardiovaskulare, bërja e një dushi shumë të nxehtë mund t’i përkeqësojë këto gjendje.

Kur të bëni një dush të nxehtë

Koha ideale për një dush të ngrohtë, jo të nxehtë, është pasdite ose para gjumit, kështu që mund të relaksoheni vërtet. Shijojeni për rreth 15 minuta në mënyrë që të pastrojë lëkurën tuaj pa e dehidratuar.

© Panoramaplus.al