29 Maj, 2025

Kur do ta kisha bërë?”- Lindsay Lohan i përgjigjet thashethemeve për ndërhyrje estetike: Thjesht kam ndryshuar…


Lindsay Lohan i ka dhënë fund spekulimeve për një ndërhyrje kirurgjikale në fytyrë, duke deklaruar se pamja e saj e freskët nuk është rezultat i një “lifting”-u, por i një stili jetese më të shëndetshëm.

Në një intervistë për revistën Elle, 38-vjeçarja u shpreh me humor se nuk e kupton se si do të gjente kohë për një operacion mes angazhimeve të shumta që ka si nënë dhe aktore: “Jam në një fazë… kur? Ku e gjeta kohën? Ku ndodhi kjo?”

Përfaqësuesja e saj e mohoi gjithashtu çdo ndërhyrje kirurgjikale, duke i quajtur thashethemet “të pavërteta dhe dashakeqe”. Ajo shtoi se është për të ardhur keq që gratë paragjykohen sapo duken mirë, si të ishte e pamundur që kjo të ndodhte pa kirurgji.

Lohan zbuloi se transformimi i saj është fryt i një rutine të re pas lindjes së djalit të saj, Louis, 22 muaj më parë. Ajo ndjek një dietë rigoroze dhe një regjim të kujdesshëm për lëkurën. “Çdo mëngjes pi një lëng me karotë, xhenxhefil, limon, vaj ulliri dhe mollë. Më pëlqejnë panxharët turshi, i vendos kudo”, tha ajo.

Lohan përdor gjithashtu çaj jeshil, shumë ujë, trajtime me lazer, serume dhe zhyt fytyrën në ujë të akullt çdo mëngjes. “Lëkura ime ndryshoi pas lindjes dhe u bë më e ndjeshme, ndaj ndryshova gjithçka, dietën, produktet, rutinën”, tha aktorja.

Edhe pse mohon kirurgjinë estetike, ajo nuk e përjashton përdorimin e ndërhyrjeve më të lehta. Me një dozë humori, ajo shton: “Të gjithë marrin Botox. Kush thotë se nuk e ka bërë, gënjen.”

Me këtë rrëfim të sinqertë, Lohan përpiqet të zhvendosë fokusin nga thashethemet tek fuqia e vetëkujdesit dhe jetesës së shëndetshme.

© Panoramaplus.al