Reperi i njohur amerikan, Kanye West, dhe bashkëshortja e tij, arkitektja australiane Bianca Censori, thuhet se janë regjistruar në një qendër rehabilitimi në Spanjë, në përpjekje për të shpëtuar martesën e tyre pas një periudhe të trazuar.

Sipas raportimeve të medias “The Sun”, Censori i ka dhënë West një ultimatum pas komenteve të tij raciste dhe antisemite, të cilat shkaktuan reagime të forta publike dhe dëmtuan rëndë reputacionin e artistit. Burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata iu nënshtruan seancave të përbashkëta këshillimi në një klinikë luksoze rehabilitimi në Mallorca, e njohur si Balance Rehab Clinic.
Qendra ofron trajtim për shëndetin mendor dhe varësitë, veçanërisht për individë me profil të lartë. Sipas burimeve, fakti që West pranoi të kërkonte ndihmë ishte një hap i rëndësishëm për Censorin, duke i dhënë asaj besimin se ai po merrte seriozisht nevojat dhe shqetësimet e saj.
“Fillimisht ata kaluan kohë duke u relaksuar, por më pas u fokusuan në diskutimin e problemeve, dëshirave dhe planeve për të ardhmen. Seancat e përbashkëta të këshillimit ishin vendimtare,” citohet të ketë thënë një burim për mediat britanike.
Raportohet se çifti ishte pranë divorcit vitin e kaluar, por Censori vendosi t’i japë një tjetër shans bashkëshortit të saj, i cili është diagnostikuar me çrregullim bipolar që prej vitit 2016. Pas qëndrimit në Spanjë, West thuhet se ka vazhduar trajtimin në një klinikë private në Zvicër, ndërsa miqtë e tij pretendojnë se ndryshimi në sjelljen dhe paraqitjen e tij është i dukshëm.
© Panoramaplus.al
