Sharon Osbourne ka përshkruar emocionin që ndjeu Ozzy për dashurinë që mori në koncertin e lamtumirës me Black Sabbath.

Vokalisti i grupit legjendar, vetëm pak javë para vdekjes së tij në moshën 76-vjeçare, u ngjit në skenë për herë të fundit në Birmingham para 40.000 fansave.
Në një intervistë të dhënë nga e veja e Ozzy Osbourne për Pollstar, disa ditë para se këngëtari i madh të ndërronte jetë, por të publikuar më 5 gusht, ajo tha: “Ai u kthye dhe më tha atë natë: ‘Nuk e kisha idenë që kaq shumë njerëz më donin’.”
Megjithatë, ajo nuk u habit nga pritja që publiku i bëri Ozzy Osbourne. “O Zot, fansat e muzikës metal janë më besnikët në botë. Kur të ndjekin, të ndjekin për gjithë jetën. Ata nuk do të shkojnë askund”, tha Sharon.
Duke iu referuar suksesit të madh të koncertit të lamtumirës, Sharon Osbourne, e cila ishte menaxhere e bashkëshortit të saj për vite me radhë, komentoi: “Ishte një sukses i madh, sepse ishte një fenomen. Mendoj se ishte hera e parë që dikush kishte dalë në pension me një koncert që u transmetua dhe të ardhurat shkuan për bamirësi. Ishte momenti perfekt i lamtumirës, mënyra ideale për të thënë lamtumirë kur ke një karrierë kaq të gjatë pas teje.”
Në mbyllje, Osbourne vuri në dukje se nuk donte që legjenda e heavy metal-it të largohej në heshtje nga vëmendja.
Siç tha ajo: “Nuk kam dashur kurrë që Ozzy të zhdukej në heshtje. Dhe çfarë mënyre më të mirë sesa të kthehej aty ku filloi gjithçka, në stadiumin e tij të dashur, Villa Park, ku luan Aston Villa e tij e dashur. Ishte thjesht perfekte.”
© Panoramaplus.al
