Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez dhanë ditën e djeshme lajmin e trishtë se njëri nga binjakët e tyre të porsalindur ka ndërruar jetë.

Teksa çifti po kalojnë një kohë të vështirë pas humbjes së djalit, klubi ku luan futbollisti, Manchester United ka lajmëruar se sulmuesi nuk do të luajë në ndeshjen kundër Liverpool.
Çifti ishin në pritje të binjakëve por mbrëmë shprehën përmes një postimi në Instagram se vetëm lindja e vajzës së tyre iu jep forcë në këtë moment. Sot, Manchester United tha se sulmuesi nuk do të paraqitet në Anfield në mënyrë që të mund të jetë pranë familjes së tij.
“Familja është më e rëndësishme se gjithçka dhe Ronaldo po i mbështet të dashurit e tij në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, tha klubi.
“Si i tillë, ne mund të konfirmojmë se ai nuk do të luajë në ndeshjen kundër Liverpool në Anfield të martën në mbrëmje dhe ne nënvizojmë kërkesën e familjes për privatësi.”
Georgina Rodriguez postoi një video të një barbekjuje familjare disa orë para se të zbulonin lajmin tronditës.
Ajo postoi një video në Instagram të dielën në mëngjes në rrezet e diellit së bashku me motrën e saj Ivana dhe një gazetare sportive spanjolle, mike të futbollistit të quajtur Edu Aguirre.

Ylli i Manchester United dukej i relaksuar në barbekjunë, e cila mendohet se ishte zhvilluar në shtëpinë e tij në qytetin Cheshire të Alderley Edge, të shtunën në mbrëmje. Ai duket mjaft sportiv teksa kishte veshur një bluzë stërvitjeje Adidas.

Partnerja e Ronaldos mendohet se ka lindur në një spital në Mançester, duke qenë se Ivana, e cila jeton në Spanjë ishte në qytet së bashku me Aguirre dhe partnerin e gazetares Julia Salmean, e cila është e afërt me Georgina Rodriguez.
Futbollisti portugez përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi se humbja e djalit të tij është “dhimbja më e madhe” që një prind mund të ndjejë.
“Me pikëllimin tonë më të thellë duhet të njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë. Është dhimbja më e madhe që mund të ndjejnë prindërit. Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcën për ta jetuar këtë moment me pak shpresë dhe lumturi. Duam të falënderojmë mjekët dhe infermierët për kujdesin dhe mbështetjen e tyre. Ne jemi të shkatërruar nga kjo humbje dhe kërkojmë privatësi në këtë kohë të vështirë. Zemër, ti je engjëlli ynë. Ne do të të duam gjithmonë.”- shkroi futbollisti në postimin e bërë në “Instagram.”

Cristiano dhe Georgina zbuluan se ishin në pritje të binjakëve disa muaj më parë.
Futbollisti është baba i katër fëmijëve, binjakëve 4-vjeçare Eva Maria dhe Mateo, të cilët kanë lindur nga një nënë surrogate, djalit 10-vjeçar Cristiano Jr, nga një marrëdhënie e mëparshme, si edhe vajzës 3-vjeçare Alana Martina me Georgina Rodriguez.
© Panoramaplus.al
