Hueyda El Sayed i ka dhënë fund beqarisë dhe është martuar fshehurazi me partnerin e saj, Thierry.
Vajza e njohur e ekraneve shqiptare zbuloi se iu është dashur të ndryshonin disa herë planet dhe datën e dasmës së tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Por më në fund vendosën që pandemia të mos ua prishte planet dhe kurorëzuan dashurinë në martesë më 18 dhjetor, gjë që e mbajti të fshehtë deri sot.
Hueyda El Sayed bëri një dasmë të vogël, e cila sipas saj ishte e mbushur plot sharm dhe gëzim.
“Ishte një dasmë minimaliste, por e mbushur plot sharm, emocione dhe gëzim. Fustanet i kisha blerë në Paris njëzet e katër orë para se të mbylleshin dyqanet e të fillonte karantina e dytë për francezet. Buqetën e luleve e bleva këtu në Luksemburg, por s’e mbajta kurrë në dorë sepse e harrova në shtëpi (qesh). Unazat i kishim zgjedhur prej kohësh tek një bizhutier i njohur, por ngaqë ndryshuam datën e martesës për 18 dhjetor në unazat tona është shënuar data 11 Dhjetor. I vetmi luks material që patëm mundësi të shijonim ishte limuzina që erdhi na mori në shtëpi për të na shoqëruar në Bashki e pasi thamë “PO”, sëbashku me dy mikeshat tona shijuam shampanjën dhe muzikën duke bërë xhiro nëpër Luksemburg,”- tha ajo në një intervistë për “Revistën Ëho”.
Ish-moderatorja rrëfeu se veshjet e ceremonisë, ajo dhe dhëndri vendosën që ti mbanin sekret nga njëri-tjetrit, duke i treguar vetëm djalit të saj nga martesa e mëparshme, Gabrielit, i cili i aprovoi.
“Dhëndri ishte si gjithnjë klas. Në fakt ne kishim vendosur t’i mbanim sekret veshjet tona të ceremonisë nga njëri-tjetri. Sigurisht ia kishim treguar Gabrielit, i cili na i kishte aprovuar (qesh). Kështu që ishte një suprizë e bukur të shihnim njëri-tjerin para se të iknim në Bashki. Sepse kisha një jetë që po prisja të martohesha me Thierryn (qesh).
Megjithatë pavarësisht dëshirës sime na u desh të ndryshonim disa herë planet dhe datën e dasmës. Së pari kishim prenotuar sallën e një prej restoranteve tona të preferuara ku kishim ftuar maksimunin e lejuar të familjarëve dhe miqve tanë, por dy javë para ditës së martesës qeveria luksemburgeze vendosi të mbyllë restorantet dhe baret. Pas ketij lajmi vendosëm që të martoheshim vetëm me familjarët tanë e të organizonim një koktejl në shtëpinë tonë, por një javë më pas u sëmura me Covid-19, kështu që na u desh të ndryshonim datën dhe t’i thonim familjarëve tanë të mos vinin. Do të ishim martuar në një ishull paradiziak me familjarët dhe miqtë tanë. Megjithatë tashmë që arritëm të martoheshim me gjithë pengesat që ndeshëm them që në fund të fundit për ne më e rëndësishme ishte që t’i thonim “PO” njëri-tjetrit kur dëshironim”– tha ajo.
Hueyda El Sayed tregoi se në këtë moment të rëndësishëm për të pranë kishte dy mikeshat e saj që jetojnë në Luksemburg, që e shoqëruan në Bashki dhe më pas festuan së bashku me miq të tjerë në shtëpi.
Ajo rrëfeu se në ceremoninë e martesës i munguan familjarët e saj, gjyshja, tezja dhe prindërit që nuk mund të ishin të pranishëm për shkak të mbylljes së kufijve.
Ish-moderatorja u shpreh se djali i saj Gabriel ishte ‘perfekt’ në ditën e dasmës dhe ku e pa nuse i tha se ishte bërë “si princeshë”.
Ndërsa tregoi se Grabriel është mjaft i lidhur me Thierry-n dhe e duan shumë njëri-tjetrin.
“Gabrieli ishte perfekt, pasi dëgjoi “PO”-në tonë, na solli unazat dhe tha: “Ju prezantoj Zonjën dhe Zotin Grosjean”. Lidhja e Gabrielit dhe Thierryt është krijuar në mënyrën më të natyrëshme. Është vetë Gabrieli i cili filloi ta thërriste Thierryn babi. Jam e lumtur kur shoh që e duan njëri-tjetrin aq shumë, aq sa ndonjëherë bëhem dhe xheloze (qesh). Mbiemrin nuk e ndryshova. S’e imagjinoj dot veten pa mbiemrin tim të lindjes, kështu që do t’i shtoj El Saied mbiemrin Grosjean,”- u shpreh ajo.
Ndërsa kur u pyet për planet për të bërë një fëmijë tjetër u përgjigj: “Gabrieli sapo na kërkoi një vëlla dhe unë sapo iu pergjigja që nuk mund të bëja një femijë më te bukur, më të zgjuar dhe më të talentuar sesa ai (qesh).”
Ish-moderatorja u nda nga ish-bashkeshorti i saj pasi ai e tradhtoi. Pasi i dha fund marteses, ajo nisi nje lidhje me Thierry, i cili ishte mik i saji prej 6-vitesh.
“Para dy vitesh- kisha një vit që isha ndarë me babin e Gabrielit- i shkruaj Thierry-t dhe i them se po kërkoja punë. “Nëse do kesh kohë, të pimë një kafe bashkë.” E lëmë që të pimë një kafe bashkë, më pyeti çfarë kishte ndodhur, pse isha ndarë dhe i tregova gjërat më të këqija. Në fund, i thashë ‘ika, se kam lënë Gabrielin me dadon’, ndërsa ai më tha: ‘Kam 5 vjet që jam i dashuruar me ty’”, tregoi Hueyda El Sayed, mbi nje vit me pare.
/Panoramaplus.al
© Panoramaplus.al












