Kevin Costner dhe producentët e filmit “Horizon: An American Saga – Chapter 2” janë paditur në Kaliforni nga kaskaderja Devin LaBella, e cila pretendon se është detyruar të marrë pjesë në një skenë përdhunimi të paautorizuar, pa paralajmërim, pëlqim ose praninë e domosdoshme të një koordinatori për intimitet.

Sipas padisë, incidenti ndodhi më 2 maj 2023 gjatë xhirimeve të filmit. LaBella, e cila shërbente si dublantja kryesore e aktores Ella Hunt, pretendon se Costner improvizoi një skenë të re përdhunimi për personazhin e Julietës, skenë që nuk ishte e përfshirë në skenarin origjinal. Aktorja Hunt, pasi ishte informuar për përmbajtjen e skenës, refuzoi ta filmonte dhe u largua nga sheshxhirimi. LaBella thotë se u thirr për ta zëvendësuar, pa dijeni për përmbajtjen e re dhe faktin që Hunt e kishte refuzuar.
Padia përfshin akuza për shkelje të kontratës, ngacmim seksual, dhe krijimin e një mjedisi pune armiqësor. Ajo përmend gjithashtu shkelje të rregullave të sindikatës SAG-AFTRA, të cilat kërkojnë pëlqim me shkrim dhe njoftim 48 orësh për çdo skenë me lakuriqësi ose përmbajtje seksuale.
LaBella deklaron se skena u xhirua në një ambient të hapur, pa koordinator të intimitetit dhe pa prova të mëparshme. Ajo thotë se iu kërkua të shtrihej mbi një karrocë ndërsa aktori mashkull, i udhëzuar nga Costner, simulohej ta shtynte dhe të imitonte një akt përdhunimi të dhunshëm. Ajo përshkruan ndjesi “tronditjeje, poshtërimi dhe turpi”, dhe pohon se më vonë ka kërkuar ndihmë psikologjike.
Në reagim ndaj padisë, avokati i Costner-it, Marty Singer, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke e quajtur padinë “krejtësisht të pabazuar”. Sipas tij, LaBella kishte dhënë pëlqimin paraprak dhe kishte marrë pjesë në provat për skenën në fjalë. Ai publikoi gjithashtu një mesazh të dërguar nga LaBella pas xhirimeve, ku ajo falënderonte ekipin dhe shprehej se ishte e kënaqur me eksperiencën.
Megjithatë, LaBella pretendon se ka shprehur pakënaqësinë për përvojën mes kolegëve të saj, por kishte zgjedhur të vazhdonte me një qëndrim profesional, për shkak se xhirimet ishin ende në proces.
Kevin Costner ka investuar rreth 38 milionë dollarë nga fondet e tij personale për realizimin e dy kapitujve të parë të “Horizon”, pjesë e një sage me buxhet total prej 100 milionë dollarësh. Kapitulli i parë u publikua në qershor të vitit 2024, por rezultoi në një dështim komercial, duke arkëtuar vetëm 38.7 milionë dollarë në mbarë botën. Kapitulli i dytë u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator 2024, por ende nuk ka një datë zyrtare lansimi.
© Panoramaplus.al
