Charlize Theron dhe Tom Hardy kanë patur një marrëdhënie shumë të ftohtë në xhirimet e filmit “Mad Max: Fury Road”, ku nuk kanë munguar tensionet dhe ofendimet mes tyre.

Në fakt edhe vetë Charlize ka deklaruar kohë më parë se gjërat nuk kanë qenë shumë të lehta për të dhe aktorin britanik. Bukuroshja afrikano-jugore ka kaluar rreth nëntë muaj me aktorin, teksa xhironin filmin e tyre, por marrëdhënia me të ka qenë shumë e vështirë.
Në librin e tij të fundit, “Blood, Sweat & Chrome: The Wild And True Story Of Mad Max: Fury Road”, gazetari Kyle Buchanan ka zbardhur më shumë detaje rreth këtij raporti të ndërlikuar. Ai shkruan se marrëdhënia e tyre e punës arriti deri në atë pikë sa yjet filluan të bërtisnin dhe Theron e ka sharë rëndë Hardy pasi ai e la të priste në sheshxhirim me orë të tëra.

Në një fragment të publikuar nga “Vanity Fair”, disa nga pjesëtarët e produksionit kanë rrëfyer se Theron kërkoi që një producente të ishte me të gjatë gjithë kohës që ta mbronte nga Hardy.
Asokohe, Theron sapo ishte bërë nënë dhe nuk donte të humbiste kohë në xhirime, por Hardy ishte shpesh vonë për xhirime.


“Një ditë xhirimet do fillonin në 8. Charlize erdhi u vesh, bëri grimin dhe ishte gati. Por, Tom erdhi në orën 11.”- është ky një nga episodet që përshkruhet në libër. Aktorja kishte kërkuar pas këtij rasti që ai të dënohej për vonesat e tij teksa e kishte sharë por Tom ishte treguar shumë agresiv. E pas këtij debati, Charlize kishte kërkuar dikë me vete sepse ndihej e kërcënuar.
Megjithatë, shkruhet se Hardy në fund të xhirimeve ‘ishte një person tjetër’ dhe i rregulloi marrëdhëniet me Theron pasi xhiruan skenat së bashku. Me kalimin e kohës Hardy ishte shumë më i lehtë për t’u përballur, shumë më bashkëpunues, më i dhembshur.

© Panoramaplus.al

