Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, dhe ylli i muzikës pop, Katy Perry, u shfaqën së bashku në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, duke konfirmuar edhe një herë se marrëdhënia e tyre tashmë ka kaluar në një nivel publik.
Katy Perry ndodhej në rreshtin e parë gjatë kohës që Trudeau mbante fjalimin e tij para liderëve botërorë, me fokus rëndësinë e “fuqisë së butë” në një botë që po ndryshon politikisht dhe gjeopolitikisht.
Gjatë fjalimit, politikani kanadez iu referua sfidave globale bashkëkohore, si pandemia, luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si edhe rritja e populizmit, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve njerëzore mes shteteve.
Në një moment më të relaksuar, politikani përmendi një takim të fundit me “një amerikane” në një rooftop bar në Montreal, pa e përmendur me emër partneren e tij.
Megjithatë, kjo deklaratë rikujtoi paraqitjen e parë publike të çiftit në të njëjtin vend, në muajin korrik, kur ata u fotografuan bashkë në barin e njohur Taverne Atlantic.
Që prej asaj kohe, dyshja është shfaqur së bashku në disa vende të botës. Në tetor, ata u fotografuan në momente romantike mbi jahtin e Perry-t, në brigjet e Santa Barbara-s, ndërsa disa javë më vonë u panë duke u larguar dorë për dore nga Crazy Horse në Paris.
Në dhjetor, ata ndanë momente nga një udhëtim i përbashkët në Japoni, ku vizituan Tokion dhe darkuan me ish-kryeministrin e vendit, Fumio Kishida, dhe bashkëshorten e tij.
© Panoramaplus.al








