11 Mars, 2026

“Katie Perry” kundër Katy Perry, stilistja australiane fiton betejën ligjore për markën tregtare me të njëjtin emër si ylli i muzikës pop: Ka qenë një udhëtim i gjatë dhe i vështirë


Stilistja australiane Katie Perry ka fituar një apelim në Gjykatën e Lartë në një çështje të gjatë ligjore kundër yllit të muzikës pop Katy Perry, lidhur me përdorimin e markës tregtare të emrit të saj.

Gjykata vendosi se stilistja, e cila më vonë ndryshoi mbiemrin në Taylor, nuk kishte dëmtuar reputacionin e këngëtares amerikane dhe as nuk kishte shkaktuar konfuzion me markën e saj të veshjeve. Sipas gjyqtarëve, fama e këngëtares në Australi është aq e madhe sa publiku nuk do t’i ngatërronte produktet e stilistes me ato të artistes.

Katie Perry kishte regjistruar emrin e biznesit të saj të modës në vitin 2007 dhe që nga viti 2008 kishte shitur rroba në tregjet lokale, përmes një faqeje interneti dhe rrjeteve sociale. Konflikti ligjor nisi pasi gjatë një turneu në Australi në vitin 2014, këngëtarja Katy Perry shiti produkte të markës së saj, si xhaketa, bluza dhe veshje sportive.

Në vitin 2023, stilistja fitoi një vendim gjyqësor për shkelje të markës tregtare, por ky vendim u rrëzua në apel në vitin 2024. Gjykata e Apelit argumentoi se këngëtarja kishte përdorur emrin e saj si markë artistike disa vite përpara se stilistja të fillonte biznesin.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë e la në fuqi regjistrimin e markës tregtare të stilistes në Australi, duke theksuar se nuk ka gjasa që konsumatorët të ngatërrojnë dy emrat.

Ky ka qenë një udhëtim tepër i gjatë dhe i vështirë”, tha Taylor në një deklaratë pas vendimit. “Por sot konfirmohet se markat tregtare duhet të mbrojnë bizneset e të gjitha madhësive.”

Një përfaqësues i këngëtares amerikane theksoi se ajo nuk kishte synuar kurrë të mbyllte biznesin e stilistes apo ta ndalonte të shiste veshje me emrin e saj.

Çështja ligjore, e cila ka zgjatur për disa vite, është konsideruar si një përballje mes një biznesi të vogël dhe një ylli global të muzikës.

© Panoramaplus.al