8 Nëntor, 2020

Jonida Vokshi dhe Klea Huta në garë edhe pas lindjeve, rivale në skena të ndryshme muzikore


Pas spekulimeve të ndryshme rreth Festivalit të fundvitit në RTSH, duket se dy emrat që do të drejtojnë mbrëmjen do të jenë Blendi Salaj dhe Jonida Vokshi.

Vendimin final Vokshi ka zgjedhur ta ndajë në llogarinë e saj duke konfirmur lajmin se do të jetë prezantuesja e këtij viti në Festivalin e ‘Rtsh-së’.

Përveç kësaj, mësohet se Salaj do të jetë edhe skenarist i festivalit që do të bëjë bashkë artistët e ndryshëm të Shqipërisë për të zgjedhur këngën më të mirë, e cila do të na përfaqësojë në “Eurovision 2021”. E Jonida duket se nuk do të lodhet fare për të punuar fort në palestër, pasi që pas lindjes së vajzës Emi, ajo i habiti të gjithë me format e saj, sidomos barkun e sheshtë sikur të mos kishte pasur shtatëzëni.

Por ashtu, në fotot pas lindjes, ku pati një konkurrente që ishte Klea Huta me fizikun e saj elegant pas lindjes së djalit, Klea do të jetë rivalja e saj në skenë.

Ndërkohë që Jonida përgatitet për finalet në qiell të hapur të Festivalit të Këngës në RTSH, Klea ka nisur aventurën e saj në “Vizion Plus” me shown e ri të vëllezërve Pandi e Bledar Laço, me titull “Këngë moj”.

Kujtojmë që sikur ta kishin bërë me fjalë dy vajzat e ekranit, Jonida Vokshi dhe Klea Huta u bënë nëna për herë të parë pothuaj në të njëjtën kohë, nga martesat respektive me producentët, Besnik Krapi dhe Elgit Doda.

Të dyja vajzat zgjodhën lindjen natyrale, për të sjellë në jetë bebet e tyre, Jonida vajzën që e quajti Emi, dhe Klea djalin që e quajti Krid. Lajmi se Jonida Vokshi ishte shtatzënë pas martesës me producentin nga Kosova, Besnik Krapi, qarkulloi që në ditët e para të janarit, kur ajo u shfaq si pjesë e panelit të jurisë së “Top Talent”.

Edhe Klea Huta u bë nënë për herë të parë nga martesa me muzikantin dhe producentin Elgit Doda. “Meziii pres!”, u shpreh Klea pas deklarimit të lajmit, duke lënë të kuptohej se do të ishte një super vit, me një pjesëtar të ri që i bashkohet familjes së tyre, si fryt i dashurisë mes saj dhe Elgitit.

E tashmë që bebet i kanë në duar, secila prej tyre ka bërë dedikimin në “Instagram”, kur përveç emocioneve unike, kanë ndarë me ndjekësit arsyet pse zgjodhën të bënin lindje natyrale, ndryshe nga trendi i vajzave për të shmangur dhembjet e lindjes, duke planifikur lindje cezariane. Më 4 qershor, Klea e dha lajmin vetë publikisht nëpërmjet rrjeteve sociale.

Klea zbuloi se ka kryer lindje natyrale, siç ka qenë dëshira e saj që prej fillimit dhe bëri një falënderim për të gjithë stafin mjekësor që e ka ndihmuar dhe Elgitin, të cilit i tha: “Faleminderit që ekziston”.

Një postim bëri edhe Elgiti, i cili postoi të njejtën foto si të Kleas, teksa shkroi: “Pak nga pak ne po formojmë pazëllin e jetës sonë. Të dua Klea Huta, të dua KRID!”.

Vetë Klea e shoqëroi foton me këngën “Tu me cambiaste la vida” nga Rio Roma, që në shqip do të thotë “Ti më ndryshove jetën”. Në statusin në fjalë ajo shkruante: “Të dashurojmë Krid! Dua të bëj një falënderim special për mjeken: ‘Ishe pikërisht ti që më drejtove për lindjen natyrale, që unë kisha dëshirë. Si përfundim unë linda siç doja vetë, në mënyrë natyrale me epidural dhe është eksperienca më e bukur e jetës sime. E paç jetën të gjatë e të lumtur, o bir! Sot e tutje ne jetojmë për ty! Zot, faleminderit! Por mbi të gjitha faleminderit ty Elgit Doda, dashuria e jetës sime, shoku im i jetës, e ardhmja ime, familja ime. Të dua sa s’ta them më dot me fjalë. Faleminderit që ekziston!”.

Pak ditë më vonë, edhe Jonida Vokshi dhe partneri i saj, Besnik Krapi, u bënë prindër për herë të parë të një vajze, të cilën e pagëzuan me emrin Emi. Lajmin e bukur e ndau fillimisht në “Instagram”, Besniku, aty ku shkroi emocionet që ndjeu teksa ka parë për herë të parë vajzën e tij. Edhe Jonida nga ana tjetër ka postuar në “Instagram” foton me të sapolindurën, e cila i ka shtrënguar dorën.

Aktorja tregonte se ende nuk i pushojnë dot lotët e lumturisë dhe e përshkruante këtë si ndjenjën më të bukur në botë. Ajo falënderoi stafin që u kujdes për të, si edhe Zotin për mrekullinë me të cilën e ka bekuar.

“Nuk më pushojnë akoma lotët e lumturisë! Totalisht dashuri e një tjetër dimensioni! Një jetë e re, tashmë dedikuar ty e vogla ime, EMI jonë Besnik Krapi. Isha shumë me fat që gjatë gjithë shtatzënisë u ndoqa dhe solla në jetë këtë mrekulli me kushtet dhe stafin më të mirë dhe pikë. Faleminderit të gjithë doktoreshave, mamive të këtij spitali, që më ndihmuan në lindjen natyrale. Por mbi gjithçka, faleminderit Zot, për këtë mrekulli, ndjesi me të cilën më bekove”, ishin fjalët e aktores.

Të dyja, prezantuesja e aktorja, e kishin qëllim në vetvete lindjen natyrale, për faktin se ajo këshillohet nga mjekët edhe për fizikun e femrës, që kthehet më shpejt në formë pas lindjes. Dhe ndoshta kjo zgjedhje ishte dhe sekrete se dy moderatoret rivale janë gati për skenë pasi sollën në jetë në të njëjtën kohë fëmijët e tyre të parë.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al