26 Shkurt, 2019

Jeta e dyfishtë e Aqif Rakipit (Qifes), një ditë me Bashkim Finon, ditën tjetër në …


Emri i Aqif Rakipit nuk është i panjohur për publikun. Ai ka qenë deputet i Parlamentit në disa legjislatura, ndërkohë që mandati i fituar në vitin 2017 u ndërpre për arsye se u bë subjekt i ligjit të dekriminalizmit.

Rakipi iu drejtua edhe Gjykatës për ta kundërshtuar këtë vendim, por përsëri ai nuk arriti të rikthehej në Parlament. Siç e dimë, Aqif Rakipi, i njohur me emrin Qifja, ka kandiduar nën siglën e PDIU-së, por njihej edhe për afërsinë që kishte me Kryeministrin Rama, madje edhe me familjen e tij.

Ai rrinte shumë me të vëllain, Olsin, me Bashkim Finon, me Saimir Tahirin, kryesisht në një lokal në ish-Bllok që është në pronësi të biznesmenit Gaz Demi, edhe ai me origjinë çame si Rakipi.

Por tani që PDIU është në opozitë me pushtetin, edhe Aqifi i është bashkuar Partisë së tij. Për këtë arsye, në të dyja protestat që ka bërë opozita, para Kryeministrisë dhe para Parlamentit, Aqif Rakipi ka qenë prezent.

Nuk e dimë se si arrin ta menaxhojë këtë dyzim mes njeriut që ka mik shumë njerëz të pushtetit (nuk e dimë nëse është më kaq i afërt me Ramën) dhe opozitarit që del në rrugë me protesta për të kërkuar të drejtat e mohuara dhe të nëpërkëmbura nga pushtetarët.

/ PANORAMA PLUS/

 

© Panoramaplus.al