Aktorit amerikan Jesse Eisenberg, i njohur për rolet e tij në filmat “Now You See Me” dhe “The Social Network”, ka bërë një zbulim surprizë gjatë një interviste televizive, duke treguar se planifikon të dhurojë njërën nga veshkat e tij një personi të panjohur.

Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Today”, të enjten më 30 tetor, Eisenberg foli për vendimin e tij, duke e përshkruar si një gjest altruist dhe të ndërgjegjshëm.
“Do ta dhuroj veshkën time pas gjashtë javësh. E them me bindje,” –deklaroi aktori, duke shtuar me humor: “Kam aq shumë gjak brenda meje sa ndiej sikur duhet ta jap. Më pëlqen shumë ta bëj dhe nuk e di pse.”
Prezantuesi Craig Melvin e përgëzoi për vendimin e tij, duke e quajtur “një hap të madh” pas përvojës së mëparshme të aktorit me dhurimin e gjakut. Eisenberg sqaroi se dhurimi i planifikuar do të bëhet në mesin e dhjetorit, si pjesë e një dhurimi altruist për një të panjohur që ka nevojë për transplant.
Sipas Weill Cornell Medicine, dhurimi altruist i organeve është një proces në të cilin një person vendos të dhurojë një organ për një marrës të panjohur, i zgjedhur në bazë të përputhshmërisë mjekësore.
“Është një vendim pa rrezik dhe jashtëzakonisht i nevojshëm,” – u shpreh Eisenberg për TODAY.com. “Mendoj se njerëzit do ta kuptojnë se është një dhuratë që mund të bëjnë, nëse kanë kohën dhe dëshirën.”
Sipas Klinikës Mayo, shumica e donatorëve mund të rikthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda dy deri në katër javësh pas dhurimit. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, çdo vit regjistrohen rreth 5,000 dhurime veshke nga persona të gjallë.
© Panoramaplus.al
