Në një gjest falënderimi dhe elegance, Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez kanë përgatitur një dhuratë të personalizuar dhe të punuar me dorë për miqtë dhe të ftuarit që po marrin pjesë në ceremoninë e dasmës së tyre në Venecia.

Sipas burimeve ndërkombëtare, çifti ka porositur objekte unike prej qelqi të fryrë artizanal, të realizuara nga kompania prestigjioze veneciane Laguna~B. Këto krijime luksoze përfaqësojnë një kombinim mes trashëgimisë së vjetër muraneze dhe dizajnit bashkëkohor, duke reflektuar në mënyrë simbolike edhe stilin e vetë çiftit.

Laguna~B u themelua në vitin 1994 nga Marie Brandolini, pasardhëse e familjes Rothschild. Pasi u zhvendos nga Nju Jorku në një pallat të shekullit të 15-të në Kanalin e Madh në Venecia, ajo u frymëzua nga “goto de fornasa” – gotat e improvizuara që artizanët e qelqit krijonin për vete. Kjo frymë autentike u shndërrua në një linjë të njohur për ngjyra të guximshme dhe forma artistike që nderojnë traditën e Murano-s me një qasje moderne.
Festimet e dasmës së çiftit nisën zyrtarisht më 26 qershor, me një darkë elegante pranë kishës Madonna dell’Orto. Sanchez mahniti të pranishmit me një fustan të artë Schiaparelli, ndërsa Bezos zgjodhi një kostum klasik të zi me këmishë të bardhë. Të ftuarit mbërritën në rreth 30 anije veneciane, nën masa të rrepta sigurie, dhe çifti mbërriti i fundit, i shoqëruar nga eskortë policore.
Në mesin e të ftuarve janë përfshirë emra si Ivanka Trump dhe Jared Kushner, Diane von Furstenberg dhe Barry Diller, Tom Brady, Kardashian-Jenner, Orlando Bloom, Domenico Dolce, si dhe Leonardo DiCaprio, Katy Perry, Mick Jagger, Bill Gates dhe Robert Pattinson, që sipas mediave pritet të marrin pjesë gjatë fundjavës.
Menuja e darkës ishte frymëzuar nga kuzhina tradicionale italiane, ndërsa dekorimet ishin të thjeshta, elegante dhe me tone të bardha e vjollcë, të shoqëruara nga muzikë live me piano.
Çifti ka zgjedhur të mos pranojë dhurata për dasmën, por në vend të tyre, i ka ftuar miqtë të bëjnë donacione për bamirësi në qytetin e Venecias, duke treguar një kujdes të veçantë për komunitetin lokal.
© Panoramaplus.al
