Këngëtarja Marsela Çibukaj udhëtoi drejt Italisë me gomone në moshën vetëm 8-vjeçare për një jetë më të mirë.
Ajo u nis natën së bashku, me motrën e saj vetëm 2 vjeçe dhe mamanë, ndërsa në anën tjetër të detit i priste babai i saj.
Në një intervistë me Ardit Gjebrean, këngëtarja u shpreh se dy udhëtimet e para me gomone dështuan, ndërsa në të tretin arritën që të kalonin detin.
Marsela Çibukaj rrëfeu se gjatë udhëtimit përjetuar frikë, terror, ankth dhe trishtim.
Marsela Çibukaj: “Unë isha shumë e vogël, nuk i kisha mbushur ende 8 vjeç, mami dhe motra, shumë më e vogël se unë vetëm 2 vjeçe dhe jemi nisur me gomone. Mbaj mend frikë, terror, trishtim, shumë pyetje për të ardhmen, çfarë do ndodhte pas atij udhëtimi.
Kam ikur natën dhe ishte hera e parë që unë shikoja detin natën, i cili transformohet nga një vend i haresë në një diçka të zezë, të errët, të frikshme dhe të pabesë. Ne kemi qenë dy vajza të vogla, të parat që hipnim në atë gomone. Ishim një nga ata familje që rrezikuam, pa e ditur se çfarë do të na ndodhte. Jemi nisur në orën 11 të darkës, u zhytëm në det derisa mbëritëm tek gomonia, na tërhoqën sipër disa djem. Unë udhëtoja me mamin dhe motrën e vogël dhe na priste babi, që ishte nisur më përpara me gomone.
Shumica niseshin në darkë me idenë që do niste udhëtimi mbarë. Në kanalin e Otrantos, kishim gjithmonë pengesa. Udhëtimi i parë dhe i dytë me gomone dështoi, por tek e treta eci mbarë. Ishte një udhëtim i heshtur, nuk flisnim dot se nuk mund të tërhiqnim vëmendje. Mami na shtrëngoi fort duart dhe na tha do shkojmë tek babi dhe nuk duhet të flasim dhe mbetëm të heshtura derisa mbërritëm në brigjet italiane. Lamë pas shumë kujtime. Kishim frikë për jetën dhe frikë për mos parë njerëzit që kishim lënë pas. Për shumë vite deti na ishte kthyer në një mankth, në një ëndërr shumë të keqe.”
Këngëtarja tregoi se jetesa në fillim në Itali ishte e vështirë, pasi nuk mund të shkonte në shkollë për shkak të dokumenteve.
Ajo tha se ishte një zonjë e moshuar italiane që e përgatiti për shkollë, ku së bashku me motrën e saj të vogël në vetëm gjashtë muaj arritën të merrnin bursa dhe shkëlqyen në mësime.
Marsela Çibukaj: “Ishte shumë e vështirë. Fillimet ishin të vështira, ambientimi me menatalitetin, me rregullat e reja. Nuk është diçka e re sepse shumë familje e kanë përjetuar këtë. Ishim klandestinë,vitin e parë nuk shkoja dot në shkollë sepse isha pa dokumenta. Studioja me një zonjë në moshë, që më mësonte italisht dhe u përgatita për në shkollë.
Në shkollë kam luftuar shumë. Fakti që ishim dy vajza shembullore që vinim nga Shqipëria që Brenda gjashtë muajve shkëlqyem në mësime, arritëm të merrnin bursa studimi si vajzat më të talentuara në shkollë, më të mirat në mësnime, kjo ishte krenare, kjo ishte mënyra ime për të bërë krenare veten time. Përpara paragjykimeve kam nxjerrë pjesën time labe. Emigrantët nuk marrin një rrugë të vështirë dhe të rrezikshme për qejf e marrin seopse kërkojnë një mundësi jete më të mirë, jo të gjithë e kuptojnë.”
Marsela Çibukaj tregoi edhe momentin kur vendosi për të ardhur në Shqipëri dhe për të qëndruar këtu.
“Atje kam akoma familje. Babi është konservator, në shtëpi flisnim shqip. Kam jetuar atje 21 vite. Pashë që bëhej një emision televiziv në Shqipëri dhe mund të fitoja një kontratë më shtëpi diskografike. Erdha, ndejta dhe nuk ika më,”- tha ajo.










