Fëmija i paligjshëm ish-mbretit belg, Albert II ka fituar betejën gjyqësore për të marrë të njëjtat të drejat dhe titujt mbretërorë si fëmijët e tjerë të babait të saj.
Sipas këtij vendimi, artistes Delphine Boël do t’i jepet titulli i Princeshës së Belgjikës.
Mbreti Albert II pranoi se ishte babai i 52-vjeçares në janar të këtij viti, pasi mohoi pretendimet e saj për atësi për më shumë se një dekadë.
Nëna e saj, baronesha Sybille de Selys Longchamps, pretendon se kishte një lidhje 18-vjeçare me Albert II para se të bëhej mbret.
Thashethemet se ish-mbreti kishte lindur fëmijë e një grua tjetër nisën pas publikimit të një biografie të paautorizuar për gruan e Albertit, Mbretëreshën Paola, në vitin 1999.
Boël pretendoi se ish-mbreti Albert ishte babai i saj biologjik gjatë një interviste në vitin 2005.
Ajo hapi procedurat gjyqësore vetëm pasi babai i saj abdikoi nga froni në vitin 2013 dhe humbi imunitetin ndaj ndjekjes penale.
“Fitimi i një gjyqi nuk e zëvendëson kurrë dashurinë e babait, por ofron një ndjenjë të drejtësisë,”- tha avokati i saj për gazertarët, duke thënë se Boël ishte e kënaqur nga vendimi. “Shumë fëmijë që kanë kaluar kalvare të ngjashme mund të gjejnë forcën për t’u përballur me ta.”
Boël dhe dy fëmijët e saj tani mund të mbajnë mbiemrin e ish-mbretit Albert, Saxe-Cobourg.
Si rezultat i këtij vendimi, pas vdekjes së Albert ajo do të ketë të drejtë të marrë një pjesë të trashëgimisë, së bashku me tre fëmijët e tij të tjerë, Princin Laurent, Princeshaën Astrid dhe mbretin aktual Philippe.
Pavarësisht titullit të saj të ri, Boël nuk do të marrë ndonjë dhuratë nga mbretëria.
Por Albert duhet t’i paguajë gati 3.4 milion euro për të mbuluar tarifat e saj ligjore.
Nëna e saj Baronesha Longchamps është shprehur se lidhja me Albertin, i cili në atë kohë ishte Princi i Liège, zgjati nga viti 1966 deri në 1984 dhe ai ishte pranë tyre gjatë fëmijërisë së Boël.
Pas vdekjes së vëllait të tij të madh në vitin 1993 në moshën 62-vjeçare, Alberti papritur erdhi në fron. Ai mbajti këtë pozicion deri në korrik 2013, kur njoftoi dorëheqjen për shkak të përkeqësimit të shëndetit dhe u zëvendësua nga djali i tij, Philippe.
86-vjeçari i rezistoi urdhrave të gjykatës për t’iu nënshtruar testimit të ADN-së derisa u përball me një gjobë prej 5.000 euro në ditë për refuzimin e kërkesës. Në janar, ai njoftoi se e pranoi Boël si fëmijën e tij të katërt pasi “mësoi rezultatet e testit të ADN-së”.
Belgjika ka një monarki kushtetuese në të cilën mbreti luan një rol kryesisht ceremonial.







