Këngëtarja Eli Fara është nënë e një vajze të vetme, Marinës. Ajo është martuar në moshë të re dhe pak kohë mbas martesës iu desh të ndahej nga bashkëshorti pas dënimit të tij për vrasje.
Eli Fara, e ftuar në “Tani mund të këndosh”, është kthyer pas në kohë duke bërë një rrëfim të rrallë të asaj çfarë ka përjetuar pas njohjes me bashkëshortin, debatet gjatë martesës dhe përfundimi i marrëdhënies si saj.
Këngëtarja zbuloi se njohur me ish-bashkëshortin kur ishte në shkollë të mesme dhe studionte për kanto.
Eli Fara tregoi se kur shkonte në aktivitet kulturore në Pallatin e Kulturës një djalë çapkën iu qep pas dhe nuk i shpëtoi dot.
Eli Fara: “Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre m’u qep keq, nuk shpëtova dot.
Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.
Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që jam prind vetë, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabimet e një moshe shumë të re. Nuk e isha e sigurt që më bëri dashuria të largohesha, por u lëndova. Mendova se do kisha turp ti shikoja më pas. Mendoja se isha e përgatitur në jetë, nuk isha e përkëdhelur. Ishim 5 fëmijë dhe të gjithë punonim. Dhe mendoja se çfarëdo që të ndodhë, sido që të vijë do ia dilja.”
Këngëtarja tha se në familjen e tij e pritën shumë mirë dhe vajza e tyre erdhi në jetë kur ajo ishte vetëm 18-vjeç.
Fundi i martesës së saj erdhi kur bashkëshorti i saj u dënua për vrasje pasi u përfshi në një sherr, ku përfundoi i vdekur shoku i tij i ngushtë.
Eli Fara tregoi se ajo shkoi së bashku me vajzën në burg për ti kërkuar divorcin.
Eli Fara: “Në familjen e tij më pritën shumë mirë. Marina erdhi në jetën kur isha 18-vjeçe, në të njëjtën kohë punoja si mësuese në një fshat të largët. Atje ishte viti i parë i punës sime. Realisht marrëdhënia bashkëshortore ka qenë me debate sepse brenda meje fillova të hap sytë për çfarë kisha bërë dhe në të njëjtën kohë prisja shumë nga pala tjetër të ndërgjegjësohej. Kisha debate si çdo çift dhe më çonin në mendimin për tu ndarë. E mendoja ndarjen, kurse ai u mundua. Hyri në punë, më donte por karakteri i tij ishte ai që ishte. Unë isha mësuar në një familje tjetër.
“Ish-i ishte një nga çunat më çapkën seç duhej në Korçë dhe kishte shokë të vetët. Kjo gjë i çoi në një tragjedi të madhe, sepse ishin grupe çunash që konkurronin me njëri-tjetrin kush ishte më i fortë dhe ndodhi që shokun e ngushtë të ish-it e vranë. Pastaj filloi një tjetër stuhi që ishte goxha e madhe për atë kohë hetime, gjyqe mbas gjyqeve që zgjatën shumë.
Unë isha me vajzën, jetoja në të njëjtën shtëpi me prindërit e tij. Në gjyqin e parë, e mbaj mend që ishte i gjithë qyteti para gjykatës, ishin kuriozë ti shikonin. Ishin shumë çuna që u përfshinë në këtë. Prindërit ishin me mendimin që të kthehesha tek ata, por isha e vendosur që ti bëja ballë vetë çdo gjëje.
Nuk është faj të gabosh, por të rrish në gabim. Jam kam dalë e vetme në jetë. Jam munduar të bëj më të mirën për fëmijën tim, nuk ia kam treguar të gjitha por disa pika kryesore. I kam treguar sa kam menduar që duhet të dijë.
Gjyqet vazhduan goxha nja 1 vit e gjysmë dhe mbasi u bënë të gjitha përpjekjet dhe për të ulur dënimin, derisa u dha dënimi i fundit dhe e përcaktuan dhe burgun ku do vuante dënimin, atje kam shkuar me vajzën dhe i kam thënë që unë do të bëj ndarjen. Nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dhe unë kam parë jetën time. Vazhdoja punën, vajzën e kisha në çerdhe, kisha probleme financiare sepse mora dhe një apartament. Ma dhanë në atë kohë, sepse kështu ishte me ligj. Vazhdoja punën si fshat si mësuese.”










