16 Maj, 2018

I rrëmbeu mikrofonin këngëtares në “Eurovizion”, ja çfarë ka ndodhur me djalin shqiptar


“Eurovizion 2018” do të jetë i paharrueshëm për të gjithë “falë” incidentit që ndodhi natën finale, ku gjatë momentit që po performonte përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, në skenë u ngjit një djalë, i cili i rrëmbeu mikrofonin këngëtares Surie duke ndërprerë performancën e saj.

Siç u bë e ditur nga mediat europiane djali ishte një shqiptar që jetonte në Britani dhe quhej Kastriot. Kujtojmë që në momentin që i rrëmbeu mikrofonin këngëtares ai tha: “Nazistët e medias në Mbretërinë e Bashkuar, kërkojmë liri”.

Menjëherë pas incidentit reperi shqiptar u largua me forcë nga skena e “Eurovzionit”, ku më pas u arrestua dhe qëndroi në qelitë e paraburgimit deri ditën e hënë. Ajo që bëhet e ditur nga mediat e huaja është se djali shqiptar u la i lirë me kusht dhe se vijojnë hetimet ndaj tij.

“Menjëherë pas incidentit ai është marrë në pyetje nga policia dhe u mbajt në paraburgim deri të hënën. Tani është liruar me kusht, në pritje të rezultatit të një hetimi policor”, tha Unioni Europian i Transmetimeve.

© Panoramaplus.al