21 Mars, 2021

I martuar 3 herë dhe i dënuar për dhunë në familje? Rrëfehet arsimtari që kërkon partnere në “Për’puthen +40”


Në “Për’puthen Prime” u prezantuan konkurrentët e rinj të “Për’puthen +40”. Mes tyre ishte edhe Armando Abazi, 43 vjeç, i cili tha se është me profesion arsimtar dhe se jeton prej vitesh në Itali.

Mirëpo, në media qarkulloi me shpejtësi lajmi se Abazi nuk ka jetuar jashtë, sikurse u paraqit në klip dhe se nuk është arsimtar me profesion.

Sikur mos të mjaftonin këto, u shkrua edhe se 43-vjeçari është divorcuar 3 herë, dhe është dënuar për dhunë në familje. Por gjatë transmetimit të “Përputhen +40”, Armando vendosi të rrëfehej, duke mohuar çdo lajm që është publikuar për të.

Ai kishte marrë edhe dokumentin me vete, për të vërtetuar se nuk ka qenë asnjëherë i martuar, ashtu siç po flitet lart e poshtë.

“Dua t’i hedh poshtë si një neveri e madhe dhe dashakeqe. Nuk kam asnjë lidhje me ato që shikoni e dëgjoni në rrjete sociale. Jam i padënuar, i pamartuar më parë, jam arsimtar dhe dëshmoj të kundërtën edhe në dokumentacion. Nuk kam qenë kurrë në jetën time i martuar. Nëse do isha, do të rezultoja i divorcuar në dokumente zyrtare. Jam tip gazmor, i qeshur, e marr jetën me sportivitet dhe këtë herë ka qenë rasti për t’u gajasur fare”, tha Armando.

Por kush janë pretendentet për të fituar zemrën e Armandos në programin e njohjeve? Katër prej grave që janë bërë pjesë e “Për’puthen 40” u prezantuar mbrëmjen e “Për’puthen Prime”.

Njëra prej tyre është Gilberta Simoni është 43 vjeçe, e cila jeton në Lushnjë. Edhe pse vjen nga një qytet i vogël, ajo thyen çdo barrierë dhe e bën realitet dëshirën e saj.

Profesioni i saj është mësuese dhe vjen në “Për’puthen” për të gjetur dashurinë e jetës. Konkurrentja tjetër është Erlinda Ogreni, 40 vjeçe, e divorcuar dhe me një vajzë 12-vjeçare. Ajo është me origjinë nga Lushnja, ndërsa aktualisht jeton në Tiranë dhe ka një biznes privat.

Një tjetër konkurrente është Luljeta Nallbani, një pensioniste 64-vjeçare me shumë energji, e cila nuk eshte martuar kurrë. Jeton në Fier dhe është një zonjë pa komplekse. Ndërsa Shqipe Rexha është me origjinë nga Tirana, 62-vjeçare. Ajo është bërë gjyshe, por vjen në “Për’puthen” për të gjetur gjysmën e saj më të mirë. Le të shohim hyrjet e reja dhe dinamikën e njohjeve në këtë program.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al