12 Shkurt, 2021

I bëri publike letrën që i dërgoi babait, Meghan Markle fiton betejën gjyqësore kundër Daily Mail


Meghan Markle ka fituar betejën ligjore kundër një tabloidi britanik që publikoi letrën private, që ajo i kishte dërguar babait të saj.

Gjykata e lartë vendosi të enjten se Daily Mail kishte cenuar privatësinë e ish-aktores së njohur.

Gjykatësi Mark Warby vendosi që Meghan Markle kishte arsye “për ta mbajtur përmbajtjen e letrës private”.

“Zbulimi i përmbajtjes së letrës nga artikujt e botuar nga The Mail, ishin dukshëm të tepruara dhe të paligjshme”– shtoi ai.

Ndërsa do mbahet edhe një gjyq tjetër për të përcaktuar dëmet ligjore në lidhje me pretendimin e Markle për shkelje të drejtës së autorit.

Në thelb të çështjes është një letër me pesë faqe që Dukesha i shkroi babait të saj, Thomas Markle, në gusht 2018.

Në letër, ajo akuzoi babanë e saj se i kishte thyer zemrën në “miliona copëza” duke u folur në media për marrëdhënien mes tyre ndërsa refuzoi t’i përgjigjej telefonatave të saj.

Mail e siguroi letrën, me sa duket nga babai i Markle dhe e publikoi atë në shkurt 2019.

Pronari i tabloidit, Associated Newspapers, pretendoi se Markle nuk kishte qenë nën asnjë detyrim ligjor për ta mbajtur letrën private dhe se Dukesha, si një person publik, nuk duhet të kishte pritur që ajo të mbetej konfidenciale.

“Pas dy vitesh të gjata betejë gjyqësore, u jam mirënjohëse gjykatës për vendimin e marrë. Bota ka nevojë për lajme të besueshme, të kontrolluara, me fakte e cilësi të lartë. Ajo që bën Daily Mail bën është është e kundërta”- tha Meghan Markle në një deklaratë.

/Panoramaplus.al

© Panoramaplus.al