14 Prill, 2018

Humbi prindërit në moshën 3-vjeçare, sopranoja tregon historinë e trishtë (VIDEO)


Sopranoja Mirjam Tola na ka bërë të gjithëve krenarë me interpretimet e saj në skena të mëdha në të gjithë botën. Ajo ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu historinë e trishtë të humbjes së dy prindërve në moshë shumë të re.

Tola e përlotur rrëfeu se ka qenë vetëm 2 vjeç, kur kam humbur babanë dhe 3 vjeç kur kam humbur nënën, e cila vuante nga leuçemia.

“Kam qenë 2 vjeç kur kam humbur babanë dhe 3 vjeç, kur kam humbur nënën. Unë nuk mbaj mend asgjë, por vëllai im e ka jetuar më tepër, sepse ka qenë 6 vjeç. Ai e ka parë mamanë dhe kjo është dramë. Kurse unë nuk e kam parë sepse më kanë mbrojtur. Babai im punonte elektricist në Uzinën e Traktorit, ishte elektricist. Edhe mamaja ime ka punuar atje, në laborator dhe 80% e grave që kanë punuar atje kanë vdekur nga leuçemia. Babai im ditën që ka ndërruar jetë kishte shkuar në punë për të zëvendësuar një shokun e tij, i cili kishte gruan po ashtu me leuçemi dhe nuk e di se ku kishte hipur dhe ka humbur kontrollin dhe ka rënë dhe pas 2 ditësh ka vdekur, në moshën 37-vjeç. Unë i kam të treguara sepse vetë nuk i mbaj mend, por për xhaxhain Agim Tola dhe gjyshen time ka qenë dramë. Gjyshja ime derisa iku nga kjo botë vetëm ka qarë. Mua më ka rritur xhaxhai im dhe vdekjen e tij unë ende nuk e kam superuar edhe sot. Trauma e një fëmije që nuk është rritur nga prindërit e tij është edhe sot. Është një gjë natyrale, është lidhje mes nënës dhe fëmijës. Për mua ka qenë një traumë e madhe kur kam parë një foto të prindërve të mi kur kanë qenë të fejuar, kur e kam kthyer foton nga pas kam lexuar shkrimin e mamasë time e cila shkruante: “Rudi, gjithmonë pranë teje, asnjëherë vetëm”. Ato janë dashur shumë. Dhe unë dhe vëllai im kemi qenë shumë të lidhur gjatë gjithë kohës. Vëllai im ka dy fëmijë dhe iu ka vënë emrat e prindërve, Mila dhe Rudi dhe unë i dua si fëmijët e mi”, rrëfeu Tola.
/tvklan.al

 

© Panoramaplus.al