Nuk dihet ende se kush do të jetë Presidenti ardhshëm i SHBA, po ajo që dihet është se nuk do jetë Kanye West.
Reperi 43-vjeçar mori pjesë në zgjedhjet e këtij viti, por arriti të mbledhë vetëm 60.000 vota nga rreth 160 milion në total, përfshirë edhe votën e tij.
Megjithë rezultatin shumë zhgënjyes, karriera politike e Kanyer West nuk ka mbaruar akoma.
Në një postim në Twitter ai shkroi se “2024”, duke paralajmëruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në këtë përpjekje të parë presidenciale, West u shfaq në fletët e votimit në 12 shtete, duke humbur afatin e regjistrimit në shumicën e shteteve të tjera.
Ai mblodhi më shumë vota, 10.188, në Tenesi, një shtet që favorizon zakonisht kandidatët republikanë.
Kur ai njoftoi kandidaturën në korrik, reperi tha se platforma e tij ishte modeluar nga Wakanda, mbretëria imagjinare nga Black Panther.
Por kandidatura e West ishte subjekt i shumë kritikave dhe u kthye në shqetësim për shëndetin e tij mendor.
Në një tubim në Charleston, Karolinën e Jugut, reperi filloi të qante teksa për abortin, duke thënë se prindërit e tij pothuajse e abortuan dhe se ai më parë kishte dashur të abortonte vajzën e tij të madhe.
Reperi zbuloi vitin e kaluar se vuante nga çrregullimi bipolar.
Dhe postimet në Twitter të Kanye West ku i kërkonte ndjekësve të shkruajnë emrin e tij në fletët e votimit për president nxitën kritika se ai në mënyrë të efektshme po largonte votat nga kandidatët legjitimë.
© Panoramaplus.al


