9 Maj, 2025

Humbi betejën me kancerin, ndërron jetë regjisori i famshëm i “Fifty Shades of Grey”


James Foley, regjisori i filmave “Fifty Shades” dhe “House of Cards”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

James Foley , regjisori i filmit ” Fifty Shades” dhe veprave të tjera neo-noir si “House of Cards” dhe  “Fear”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeç. I ndjeri dha frymën e fundit në shtëpinë e tij në Los Angeles. Sipas përfaqësuesit të tij, ai ishte diagnostikuar me kancer në tru dhe kishte luftuar me sëmundjen gjatë viteve të fundit.

Kush ishte  James Foley ?

Foley lindi më 28 dhjetor 1953 në Brooklyn dhe e filloi karrierën e tij kur takoi regjisorin e “Harold and Maude” , Hal Ashby, ndërsa prezantonte një film studentor gjatë studimeve të tij pasuniversitare në USC. ” Nuk do ta di kurrë nëse ai thjesht po sillej me edukatë, por më tha se i pëlqente dhe se kishte ndërmend të hapte një kompani për të prodhuar filma nga krijues të tjerë. Ai më pyeti se çfarë doja të bëja dhe më tha se mund të shkruaja diçka dhe ta drejtoja atë “, tha ai për “FilmInk”.

Edhe pse kompania e tij në fund nuk pati sukses, kjo njohje ishte e mjaftueshme për t’i hapur derën për të xhiruar filmin e tij të parë, “Reckless”.

James Foley ka punuar me aktorë kryesorë si Sean Penn , Madonna , Al Pacino dhe Halle Berry, me filmografinë e tij që dallohet për estetikën e saj atmosferike dhe të errët. Debutimi i tij si regjisor erdhi në vitin 1984 me dramën romantike muzikore “Reckless”, me protagonistë Daryl Hannah dhe Aidan Quinn. Vitin pasardhës ai drejtoi filmin “At Close Range” me Penn dhe Christopher Walken , një film neo-noir që u shoqërua nga kënga e Madonnës “Live to Tell”. Madonna, gruaja e Penn në atë kohë, bashkëpunoi përsëri me të në një videoklip dhe në filmin ” Who’s That Girl “, i cili dështoi.

Suksesi i tij më i madh erdhi me filmin ” Glengarry Glen Ross “, një adaptim filmik i dramës së David Mamet. Al Pacino u nominua për çmimin Oscar dhe fitoi një Glob të Artë për performancën e tij, i shoqëruar nga një kast i kalibrit të lartë, përfshirë Jack Lemmon , Alec Baldwin , Ed Harris dhe Alan Arkin

Foley gjithashtu drejtoi dy vazhdimet e ” Pesëdhjetë Hijet e Greit “, si dhe 12 episode të serialit të njohur ” House of Cards “. Filmi i tij i vitit 1990 ” After Dark, My Sweet “, me aktorët kryesorë Rachel Ward , Jason Patric dhe Bruce Dern , konsiderohet si një nga shembujt më karakteristikë të filmit noir kalifornian. Siç raportoi Variety, ” regjisori-skenaristi James Foley i ka dhënë këtij adaptimi pothuajse të përsosur të romanit të Jim Thompson një kontekst bashkëkohor dhe realizëm emocional që e bëjnë atë po aq toksik sa një pickim gjarpri “.

Karriera e tij në film përfshin gjithashtu filmat ” Two Bits ” me Pacino-n, ” Confidence “, ” Perfect Stranger ” me Halle Berry dhe Bruce Willis , ” The Chamber ” dhe ” The Corrupter ” me Chow Yun-Fat dhe Mark Wahlberg . Në televizion, ai drejtoi episode për seriale të tilla si ” Twin Peaks “, ” Billions ” , ” Wayward Pines ” dhe ” Hannibal “

© Panoramaplus.al