9 Maj, 2018

Greqia nuk kaloi në finalen e “Eurovizion”-it, Eleni Foureira: Qava, është atdheu im


Një natë më parë u mbajt në Lisbonë të Portugalisë nata e parë e “Eurovizion”-it 2018. Në gjysmëfinale kënduan 19 këngëtarë të shteteve të ndryshme, ku bënte pjesë edhe Shqipëria e përfaqësuar nga Eugent Bushpepa.

Gjithashtu mbrëmë këndoi edhe një tjetër shqiptare, Eleni Foureira, e cila përfaqëson Qipron. Pasi ka përfunduar nata e parë dhe u shpallën 10 këngët që kaluan në natën finale të së shtunës, është mbajtur një konferencë për shtyp.

Gjatë kësaj konference, Eleni është shprehur se do të donte të bënte histori duke e renditur Qipron në një vend të mirë në finale, ose edhe të fitonte.

“Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Faleminderit për dashurinë dhe mbështetjen që më jepni. Do mundohem të bëj histori për Qipron. Nëse nuk e bëj, sërish do jem e lumtur sepse kjo aventurë është e mrekullueshme për mua”, u shpreh këngëtarja.

Ndërsa e pyetur nga një gazetar grek si ndihet që Greqia nuk shkoi në finale, Eleni Foureira tregoi për këtë moment duke u shprehur se ishte bërë gati të qante.

“Në fakt nuk e dëgjova që unë kisha kaluar në finale. Po mendoja ku është kamera, pastaj pashë kamerën dhe u emocionova që kalova në finale. Po vrapoja si e çmendur, me taka të larta dhe kur u ktheva po pyesja Greqia, Greqia? Dhe pashë që Greqia nuk kishte kaluar në finale, isha gati të qaja. Më vjen shumë keq, edhe për shtetet e tjera, por Greqia është atdheu im. Do doja gjërat të ishin ndryshe”, tha Eleni.

Panorama Plus

© Panoramaplus.al