Reperi i njohur Sean “Diddy” Combs përballet me akuza të rënda për shfrytëzim seksual dhe trafikim, dhe dëshmia e fundit e ish-asistentit të tij, Brendan Paul, ka shtuar ndjeshëm peshën e çështjes.

Gjatë një dëshmie në gjyq më 20 qershor, Paul, i cili punoi për Diddy-n mes viteve 2022–2024, deklaroi se ishte i përfshirë në organizimin e të ashtuquajturave “Freak-Offs”, festa të inskenuara seksuale, ku gra të shumta dyshohet se ishin të detyruara ose të shtyra të merrnin pjesë.
“Ai donte që ne të silleshim si SEAL Team Six, gjithçka në mënyrë ushtarake,” u shpreh Paul në gjykatë, duke përshkruar stilin autoritar të menaxhimit nga Diddy.
Sipas tij, detyrat e përditshme përfshinin furnizimin me kokainë, ketaminë, përzierje sintetike rozë, farmaceutikë dhe marihuanë. Ai po ashtu rrëfeu se arrestimi i tij për posedim droge ndodhi në aeroportin e Miamit me një sasi kokainë që e kishte marrë nga dhoma e Diddy-t me urdhrin e tij.
“Nuk isha trafikant, por më kërkohej të sillja sasi të vogla,” u mbrojt ai, duke sqaruar rolin e tij në raport me akuzat që ndodhen në të paktën tre padi për sulm seksual kundër Diddy-t.
Në lidhje me “netët e çmendura”, Paul pranoi se takimet e tilla ndodhnin fillimisht në hotele luksoze deri në nëntor 2023, kur Diddy u padit nga partnerja e tij e mëparshme, Cassie Ventura, për trafikim njerëzor. Pas kësaj, takimet u zhvendosën në shtëpi private. I vetmi person që ai identifikoi në ato net ishte një dëshmitare e mëparshme në proces, e njohur me pseudonimin Jane.
Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës Brian Steele e pyeti Paul nëse kishte vërejtur ndonjë shenjë që Jane nuk merrte pjesë vullnetarisht. Paul u përgjigj negativisht, duke theksuar se ajo nuk shfaqte hezitim apo parehati.
Edhe pse e përshkroi Diddy-n si një punëdhënës tepër kërkues që e kishte pushuar nga puna disa herë për arsye banale, Paul e mbylli dëshminë e tij me një reflektim emocional:
“Është e komplikuar.”
Procesi ndaj Diddy-t, që tashmë ka zgjatur mbi një muaj, ka përfshirë dëshmi nga ish-punonjës, bashkëpunëtorë dhe persona të afërt me të, duke ndërtuar një portret kompleks dhe kontrovers të artistit, i cili mund të përballet me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor për akuzat.
© Panoramaplus.al
