Marka ukrainase e modës “Milla Nova”, e njohur për fustanet e nusërisë, tani po prodhon veshje për ushtarët dhe punonjësit e mjekësisë në Ukrainë, ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj brutal.

Me butikë nusërie në 50 vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën, punonjësit e “Milla Nova” kanë punuar gjatë dy javëve të fundit për të përmbushur porositë ndërkombëtare, duke bërë gjithashtu edhe këto veshje shtesë për kategoritë e sipërpërmendura. “Së bashku me nuset anembanë globit, ne jemi të fokusuar në shpëtimin e vendit tonë,” tha CEO i kompanisë Ulyana Kyrychuk, e cila është e vendosur të vazhdojë të mbajë biznesin pavarësisht sfidave të shumta të shfaqura për shkak të luftës.

Fotot nga “Milla Nova” të shpërndara nga CNN tregojnë punonjëset që thurin rrjeta dhe rroba ushtarake. Kyrychuk ka thënë për CNN se ata kanë bërë deri tani 1,500 artikuj. Shumë pjesëtarë të stafit po bëjnë udhëtime të gjata nëpër Lviv, ku është selia qendrore e kompanisë, për të arritur në fabrika, duke punuar jashtë orarit për të ndihmuar në prodhimin e veshjeve.
“Qëllimi im kryesor si CEO është të mbroj njerëzit dhe të siguroj të nesërmen e tyre,” tha ajo, duke shtuar se ata janë gjithashtu të gatshëm të pranojnë punonjës të rinj nga Ukraina lindore, të cilët së fundmi janë bërë refugjatë.

Milla Nova aktualisht ka 600 punëtorë. Ata që ishin me bazë në Lviv mundën të shkonin në Poloni, ku u ngrit një vend pune i improvizuar në Varshavë pas pushtimit. Deri më tani 70 punonjës janë evakuuar në kryeqytetin polak. Rreth 450 njerëz të stafit mbeten në Lviv, ndërsa të tjerët kanë bërë planet e tyre për të ikur në fshat ose jashtë Ukrainës. Me një fuqi punëtore prej 98% gra, shumë prej të cilave janë nëna, zhvendosja nga kompania ka përfshirë shumë fëmijë të vegjël.

Rrobaqepësit në Poloni kanë qepur fustane speciale me ngjyrat e flamurit të Ukrainës në të verdhë dhe blu. Kyrychuk tha se plani është që ato të shiten si NFT për të mbledhur fonde bamirësie për Ukrainën.
Kyrychuk tha se ishte “shumë krenare” për ekipin e saj dhe “përkushtimin dhe besnikërinë e tyre të pabesueshme”, duke treguar rolin e rëndësishëm të grave në luftë, të cilat duhet të kujdesen dhe të mbrojnë, “të luten dhe të besojnë”.


