26 Korrik, 2018

Geri e “Big Brother”: Familja që kam krijuar me biznesmenin dhe përkujdesja për djalin


Ish-lojtarja e “Big Brother”, Geri Matohiti, pak muaj më parë, prezantoi djalin e saj të porsalindur Neo, nga bashkëjetesa me të dashurin biznesmen. Shumë në formë me djalin në krahë, Geri kishte zgjedhur fjalët më të bukura për të shprehur ndjesinë e mëmësisë për herë të parë. “Ti je thjesht dashuria e mamit dhe e babit, kuptimi i jetës sonë, e gjithë bota jonë, nuk do të mundesha kurrë të gjeja fjalët e duhura të shprehja këtë ndjesi të mrekullueshme që po përjetoj…thjesht ne të duam pa fund i shtrenjti im Neo!”.

Por, si i ka ndryshuar asaj jeta tani që është jashtë vëmendjes së publikut, duke iu dedikuar biznesit me partnerin dhe rritjes së djalit? “Ndihem shumë e lumtur dhe e plotësuar. Normalisht, të jesh nënë me kohë të plotë, ka lodhje dhe shumë net pa gjumë, sidomos për mua që më pëlqen gjumi, por kur merr në krahë atë krijesë aq të vogël që të shikon në dritë të syrit, çdo lodhje apo mërzitje të kalon si me magji. Po kujdesem vetë dhe ditët e para që erdha në shtëpi me djalin kisha mamin që më ndihmonte. Tani jam qetësuar dhe i pranoj me kënaqesi ndihmesat apo dhe kur ofrohen ta mbajnë, nga familjarët kuptohet”, tha ajo për “Panorama Plus”.

“Tani mund të them se jam 24 orë në dispozicion të tim biri, po e shijoj çdo sekondë dhe kur e shoh sa shpejt rritet, i përkushtohem më tepër. Sa për pushime ,besoj do të pushoj deri atëherë kur të mos marr frymë dhe jam e bindur që do e shoh Neon si vogëlushin tim të vogël gjithnjë”, tha ajo. Gjashtë vite më parë, Gerta Matohiti ishte vajza me figurante e “Big Brother 5”, e cila intrigoi shumë rivalët me protagonizmin e saj në lojë. Me stilin gjithë shije të veshjes, tipin e përmbajtur dhe bisedat e këndshme me banorët, ajo u komentua gjatë pas këtij reality show.

Pas asaj eksperience, ajo vendosi të qëndrojë larg botës së televizionit dhe medias. Gerta tregon se nuk i ka pëlqyer të jetë pjesë e televizionit, ndërkohë që prej tre vitesh i është përkushtuar restorantit me partnerin, të cilin e menaxhon ajo. Për personin në krah, vajza, që në “Big Brother” e quanin me përkëdheli Geri, shprehet: “Ai është i dashuri im, shoku im, partneri i jetës dhe babai i fëmijëve të mi”. Sa për njohjen e tyre, tregon se kanë qenë miq më parë, edhe pse kishim një tërheqje në atë kohë. Pas një viti vendosën të lidheshim e tashmë bashkëjetojmë si prindër”. Pyetjes nga gazeta “Panorama” nëse e kishin planifikuar sjelljen në jetë të fëmijës, ajo i përgjigjet: “Po, e kishim planifikuar, pra, s’ka qenë e rastësishme”.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al