Gazetari i famshëm i “Panorama”, Martin Bashir, thuhet se i tregoi Princeshës Diana një vërtetim të rremë aborti të dados së saj, Tiggy Legge-Bourke.

Kjo ishte një përpjekje joetike e tij për të bindur princeshën të jepte intervistën e famshme.
Sipas “Daily Mail”, Diana besonte se Princi Charles kishte një lidhje me Tiggy-n dhe dyshonte se ajo ishte shtatzënë me fëmijen e Charles-it. “Daily Mail” raporton se për këtë çështje u nis një hetim nga sekretari privat i Mbretëreshës (dhe kunati i Dianës), Robert Fellowes.

Ky lajm shqetësues duket se është zbuluar gjatë një hetimi të pavarur për intervistën e vitit 1995 të Diana-s me Bashir, i cili, sipas një raporti të “Sunday Times”, krijoi gjithashtu vërtetime bankare të rreme për të manipuluar vëllain e Diana-s që ta ndihmonte në negocimin e intervistës.

Gjykatësi Lord Dyson po zhvillon hetimin dhe thuhet se ka intervistuar 17 dëshmitarë. Zbulimet e tij do të publikohen në muajt e ardhshëm, dhe sipas burimeve për “Daily Mail”, ato përfshijnë prova që Diana ndryshoi mendim për intervistën disa ditë para xhirimeve dhe se vërtetimi i falsifikuar i abortit e ndihmoi atë ta bindte për të.

Princi William lëshoi një deklaratë të rrallë publike në lidhje me intervistën në nëntor të vitit të kaluar, duke thënë:
“Hetimi i pavarur është një hap në drejtimin e duhur. Kjo duhet të ndihmojë në përcaktimin e së vërtetës pas veprimeve që çuan në intervistën me ‘Panorama’ dhe vendimet pasuese të marra nga ‘BBC’ në atë kohë.”
Ndërkohë, një zëdhënës për BBC tha për People se: “Martin nuk do të bëjë ndonjë koment publik ndërsa hetimi po vazhdon. ‘BBC’ nuk ka asnjë koment për të bërë në lidhje me këtë.”
© Panoramaplus.al
