Para dy vitesh Ira Seferi bashkëshortja e aktorit të spektaklit “Portokalli”, Gaz Paja, festoi ditën e lindjes. Ajo mori urime të shumta nga miq e të afërt.
Po ashtu Ira ka publikuar një foto ku shfaqet me një buqetë mjaft të veçantë dhe shumë e buzëqeshur. Këtu vëmendjen e ka marrë komenti romantik i aktorit.
“Gëzuar zemra ime! Ira Seferi siç e ke zemrën ashtu u bëftë!”, ka shkruar Gaz Paja.
Kujtojmë se aktori dhe bashkëshortja e tij janë prindër të një djali të quajtur Dard, dhe gati dy vite pas martesës e pasi janë prindër, aktori shfaq anën e tij romantike, ndërkohë që gjatë karrierës është komentuar për arrogancë me gazetarët, apo indiferencë në mbështetje të kolegëve kur ishte çështja e godinës së Teatrit Kombëtar.
Po si është jeta e Gaz Pajës larg ekranit, që pasi i dha fund beqarisë në qershor të 2019-ës, pas dasmës së improvizuar që u organizua të dielën e fundit të sezonit “Portokalli”.
Vetë aktori në rolin e Ylvi Bakërrit ishte ftuar bashkë me Genën të këndonin në dasmën e Gaz Pajës.
Por edhe pse nuk kishte bërë publike një datë të ceremonisë së vërtetë të martesës me partneren e tij Ira Seferi, “Panorama Plus” mësoi se dasma VIP e shumëpërfolur do të organizohej në ambientet e një hoteli luksoz në qendër të Tiranës.
Të ftuarit morën ftesat e babait të njohur, Luftar Paja, dhe nënës së tij, ku mbi 300 miqtë e përzgjedhur i ftonin të merrnin pjesë në dasmën e djalit të tyre me bionden shumë simpatike, një vajzë e panjohur në publik.
Ishte partnerja e tij Ira që postoi në “Instagram” disa albume me foto nga festa e beqarisë në bregdet, ndërsa Gazi preferoi ta “ngrinte “Instagram”-in disa ditë para dasmës, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për të cilin duhet ruajtur privatësia.
Aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, vendosi t’i jepse fund beqarisë në moshën 41- vjeçare.
Deri në atë moment Gazi ishte munduar që lidhjen e tij ta mbante larg syrit të mediave, por kjo vajzë që ai e përkufizoi si “e bukura e dheut”, ia mori mendjen për t’u bërë gruaja e tij.
Për miqtë e tij, ky ishte një lajm i madh, duke qenë se për një artist sqimatar si Gaz Paja nuk ishte e thjeshtë që të bindej për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tij.
Që shoqërohej me një vajzë të bukur kjo gjë dihej, por që e kishte shumë seriozisht lidhjen me të u zbulua në dasmën e mikut të tij Bes Kallaku, ku ai u shfaq i shoqëruar me partneren e zemrës në atë ceremoni.
Ndërsa i ftuar në “Wake Up”, ai për herë të parë pranoi që ishte në një lidhje dashurie.
IRA SEFERI “ZBUTËSJA E KRYENEÇIT”, SEKRETI I VAJZËS SË PANJOHUR QË I MORI MENDJEN GAZ PAJËS
Kur sapo u bë publik lajmi se aktori Gaz Paja u shpreh se për momentin po jetonte lidhjen, por martesa nuk ishte ende në planet e tyre, nuk vonoi shumë dhe Paja u martua.
Kështu brenda 12 muajve gjërat ndryshuan me shpejtësi, pasi ai vendosi të shkonte në altar me Ira Seferin, biondja e panjohur në publik. Ai e kishte gjetur njeriun e zemrës, madje u shpreh se ajo e bën të ndihet shumë, shumë mirë.
Ndonëse i rezervuar për jetën e tij private, ai rrëfeu, ndër të tjera, se e dashura e zemrës është njeri shumë i kuptueshëm përballë natyrës impulsive të tij. Pra Ira mund të konsiderohet “zbutësja e kryeneçit”, që i mori mendjen aktorit pikërisht me qetësinë e saj. Nga ana tjetër ia ka vlejtur durimi për Irën, duke qenë se ajo bën jetë vërtetë të bukur si gruaja e tij.
Një artist i mirëfilltë në Shqipëri natyrisht që nuk mund të vërë dot pasuri, por biondja e re dhe e bukur, Ira Seferi, pati fatin e princeshës, pasi burri i saj është artisti që i ka siguruar një martesë me të gjitha të mirat.
Me talentin, zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tij, Gazi, paralelisht me karrierën në televizion apo rolet në teatër, ka arritur të ngrejë dhe bizneset e tij, siç është një restorant në jug të vendit, për të cilin ai punon gjatë muajve të verës kur nuk shfaqet në ekran.
I shkolluar në Greqi dhe i specializuar me master në Londër (Angli), Gazi është burri që do e dëshironte çdo vajzë, pasi është artisti që ka dhe sensin praktik tëmenaxhimit të jetës.
Kështu Irën, e cila bashkë me martesën nisi edhe jetën, e priste një jetë e rehatshme e plot mirëqenie. Një copëz nga realiteti, ku ata jetojnë çift, e pamë në rubrikën “Për drekë me mua” te “E diela Shqiptare”, ku ai kishte gatuar një drekë për Balina Bodinakun, Elhaida Danin dhe Blerina Bombajn.
Publikut i ranë në sy ambientet e shtëpisë luksoze të aktorit, që ndodhet në një nga zonat e shtrenjta të Tiranës. Për herë të parë u fol për këtë lidhje të re të artistit verën e 2017- s, pasi u panë dhe u fotografuan në plazhet e jugut, ku Paja kalon muajt e verës.
Më pas, paparazzi i “Panorama Plus” e fotografoi Pajën dhe të dashurën e tij në një moment “hot” në një nga club-et e Tiranës, ku dukej që nuk përmbaheshin kur janë pranë njëri-tjetrit.
“Simpatike, e bukura e dheut. Është bionde, e gjatë, e buzëqeshur, elegante, pozitive, i qeshin syçkat kur shikon Gazin!”, ishin përshkrimet e moderatorëve të “Wake up”, duke qenë se ata e njohin nga afër të dashurën e tij.
Pasi i dëgjoi, Gaz Paja nuk hezitoi të tregonte më shumë nga lidhja, duke u shprehur se jashtë ekranit është një romantik i vërtetë, se i dedikon asaj këngë dashurie. Sipas tij, janë çifti perfekt. Ndërkohë tashmë jeta e tyre ka marrë tjetër kuptim, pasi tashmë janë edhe prindër të një djali.























