Kledi Kadiu me anë të një videomesazhi ditën e djeshme u kërkoi bashkatdhetarëve të tij shqiptarë të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur infektimin me koronavirusin.

Balerini i njohur u shpreh se frika nga virusi është e madhe ndërsa theksoi se neglizhenca ishte arsyeja përse u përhap aq shpejt në Itali duke kërkuar që të zbatohen të gjitha rregullat.
“Frika është bërë shumë e madhe. Arsyeja kryesore pse në Itali u përhap aq shumë shpejt virusi ishte për faktin se të gjithë ne, përfshirë edhe unë vazhduam të jetonim jetën sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ky ishte problemi më i madh. Na dukej sikur Kina ishte shumë larg dhe nuk do vinte tek ne. Tani po e zbatojmë me rigorozitet vendimin e qeverisë.
Nuk duhet të tregohemi sipërfaqësorë dhe të zbatohen të gjithë rregullat,”– tha ai për emisionin “Wake Up”.
Kledi u shpreh se puna në Itali është pezulluar tërësisht ndërsa ditën e kalon në shtëpi me bashkëshorten e vajzën.
“Puna është pezulluar komplet. Ditën rri me gocën, qëndrojmë në shtëpi dhe bëjmë xhiro në mëngjes në port. Deri tani jemi me fat sepse nuk ka njerëz fare sepse çdo rrugë është boshatisur. Nuk dua ta bëj tragjike por është. Kjo është luftë pa armë,”- shtoi ai.
Ndërsa për sa i përket familjarëve tregoi: “Komunikoj çdo ditë me prindërit. Shpresojmë të ndalojë. Virusi nuk sheh pasaportë dhe kartë identiteti.”

