Këngëtari i njohur Blero Muharremi, i cili shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë për jetën e tij sentimentale, i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e tij në martesë me partneren Eronita.
Video dhe fotografi nga ceremonia e çiftit janë shpërndarë në rrjetet sociale, ku shihet edhe momenti kur të dy i thonë “po” njëri-tjetrit, duke zyrtarizuar lidhjen e tyre.
Edhe pse Blero nuk e kishte pranuar më herët publikisht martesën, ai kishte dhënë disa sinjale së fundmi. Vetëm pak ditë para ceremonisë, këngëtari postoi në “InstaStory” një foto të një fustani nusërie, të shoqëruar me mbishkrimin “Të dua”, duke nxitur dyshime te ndjekësit.
Ndërkohë, disa muaj më parë, ai kishte publikuar edhe një screenshot të një bisede private me partneren e tij, e cila ngriti aludime të forta për martesë. Në mesazhe, Eronita shprehte dëshirën për t’u martuar me artistin, duke i shkruar:
“Më mungon shumë dhe dua të martohem me ty”, ndërsa në një tjetër mesazh shtonte:
“Unë thashë PO, pa më pyetur hiç”.
Siç dihet, Blero ka pasur dy martesa të mëparshme që kanë qenë mjaft të përfolura në opinionin publik. Ai ka qenë i martuar me këngëtaren Teuta Krasniqi, me të cilën ka edhe një vajzë, si dhe me Afrona Dikën, nga e cila u nda në mënyrë të bujshme pas dy vitesh martesë.
© Panoramaplus.al






















