Këngëtarja Soni Malaj përflitet se i ka dhën fund lidhjes 6-vjeçare me partnerin e saj. Në rrethin e artistëve ka nisur të qarkullojë një version sekret i mikeshave të saj në lidhje me jetën private të artistes.
Sipas tyre, Soni është në krizë me të fejuarin, Klevin, me të cilin në vitin 2017 u përfol se u bë ortake e një biznesi, ndërsa një vit më parë nisi bashkëjetesën në Tiranë.
Vetëm para 5 muajsh, ajo i rrëfeu Ardit Gjebresë faktin se kishte nisur bashkëjetesën me Klevin, duke e çuar marrëdhënien në një tjetër nivel.
Duke e konsideruar djalin nga Vlora si shpirtin e saj binjak, ky rrëfim i saj vinte pas disa viteve që ata shiheshin kudo bashkë, pasi Klevi e shoqëronte ngado këngëtaren, në eventet apo garat ku ajo merrte pjesë.
Po si nisi historia e dashurisë së Sonit me një djalë jashtë rrethit të muzikës?
Ata u fejuan pas një viti që shoqëroheshin rregullisht me njëri-tjetrin.
“Takimi ynë i parë ka qenë nëpërmjet një mikeshës sonë së përbashkët. Ka qenë një takim i rastësishëm. Unë e kisha takuar edhe herë të tjera, por nuk e mbaja mend. Pas festës për ditëlindjen e mikeshës, unë po prisja rojen e parkingut për të marrë makinën. Aty ai kaloi”, tregoi Soni.
E pas shumë fotove nga paparacët, vetëm pasi kishte nisur bashkëjetesën, vetë Soni publikoi në “Instastory”-n e saj një foto krah partnerit, Klevi, i cili ka një biznes të pronave të paluajtshme. Pesë muaj më parë, Soni bëri një rrëfim shumë të sinqertë rreth jetës së saj private, ndërsa ishte e ftuar në rubrikën “Tani mund të këndosh”, ku foli edhe për marrëdhënien që ka me partnerin, Klevin.
Për historinë me Klevin, Soni tregoi se kishte 6 vite e lidhur me të dhe se prej një viti bashkëjetonin. “Me Klevin kemi 6 vite bashkë. E kemi marrë ngadalë marrëdhënien dhe pas 5 viteve ne vendosëm të bashkëjetonim. Bashkëjetojmë prej më shume se një viti. Ajo çfarë vlerësoj te Klevi është se më ka pranuar me diferencat e mia, me të mirat e të këqijat dhe unë prapë i dukem e mrekullueshme dhe kjo më pëlqen shumë. Klevi vlerëson femrat që ia dalin vetë në jetë, që nuk kanë nevojë për një mashkull për t’i shtruar rrugën. Ai ka vlerësuar tek unë pavarësinë, karakterin”, u shpreh Soni.
Por nuk dihet ç’ka ndodhur ekzaktësisht që as gjashtë muaj nga kjo deklaratë dhënë Ardit Gjebresë, Soni po komentohet për një krisje në këtë histori. Për herë të parë, ajo e konfirmoi lidhjen e re gjatë një interviste për një media të Kosovës.
Në fillim të njohjes, ata u përpoqën ta mbanin sa më të fshehtë, ndërsa më vonë e konsideruan njëri-tjetrin familje. Fotot e para çift të shkrepura nga paparazzi i “Panorama Plus”, ishin në sallën e Universitetit të Arteve, ku ndodheshin bashkë për të ndjekur aktorin Gazmend Paja në monodramën “Legjenda e Pianistit”.
RRËFIMI I SONIT PËR KLEVIN, NGA SHKËNDIJA E PARË E DASHURISË TE PLANET QË KISHIN BËRË
Që gjashtë muaj pas shpalljes së fejesës me Klevin, Soni Malaj rrëfeu dhe detaje të pathëna, që nga shkëndija e parë e dashurisë, deri te planet e mëdha që kishin bërë, pasi ishin në prag të krijimit të një familjeje të re, të konsoliduar dhe tradicionale.
E ftuar në emisionin NIN, Soni rrëfeu edhe një sekret për takimin me Klevin. “Nuk jemi njohur në palestër, madje dhe ushtrohemi secili në palestra të ndryshme”, tha ajo duke treguar edhe punën e tij, si drejtues i biznesit të pasurive të paluajtshme.
Por askujt nuk ia merrte mendja se dy miqtë e vjetër të mikeshës së përbashkët do të puqeshin bashkë. “Unë e pashë në errësirë në parking, atij i shndritën sytë dhe buzëqeshi. Ishte rastësi. U pamë përballë. Unë, në fakt, e ngatërrova, por pastaj thashë “mos është ai që njoh?”.
Pyetjes nëse do të bëhet Soni prapë nënë, ajo iu përgjigj: “Po, normalisht unë dua familjen, kam besuar te një familje e konsoliduar, e shëndetshme e tradicionale, kështu që besoj se po”.
Ndërsa diskutimit se a mundet një artiste e njohur të ketë atë familjen tradicionale që flet Soni, ajo iu përgjigj: “Varet se kë do vendosim në plan të parë. Unë vendos familjen në plan të parë, prindërit, familjen, vëllain dhe Klevin. Nuk duhet të merret kaq shumë seriozisht pjesa e të quajturit personazh publik, aq sa të na penalizojë jetën. Unë menaxhoj mirë gjithçka. Unë çohem në mëngjes, çoj gocën në kopsht, ushtrohem në kanto, bëj ushtrime fizike, gatuaj etj. Pra, kam kohë për çdo gjë e asgjë e s’më pengon”.
Ndërsa ngacmimit nëse e frymëzoi dasma e mikeshës së saj Elia Zaharia që të organizonte dasmë edhe për vete, ajo iu përgjigj “Jo”. Pasi vendosën të dilnin hapur, mediat i hynë dhe më thellë marrëdhënies së saj.
Kështu, revista “Who” publikoi fotot e një darke familjare mes Sonit dhe prindërve të Klevit. Në këtë darkë ishte sigurisht edhe vajza e Sonit, Ana. Kaq serioze gjërat mes këngëtares dhe biznesmenit, sa u fol edhe për një dasmë së shpejti.
Por në lidhje me këtë çështjen e dasmës gjatë një interviste në emisionin “Mos i fol shoferit” të Rudina Dembacajt, Soni zbuloi më shumë detaje mbi jetën private si dhe projektet e saj. Ajo tregoi se marrëdhënia e saj me Klevin bazohej në shumë dashuri dhe respekt.
Soni foli gjithashtu në lidhje me dasmën dhe u shpreh: “Jo. Kur digjesh nga qulli, i fryn edhe kosit”, duke hedhur poshtë planet për një ceremoni dasme mes çiftit, por ndryshe ishte puna e një fëmije.
“Në fakt, e kishim me dëshirë, por puna e kontratave më ka mbërthyer pak”, tha ajo gjatë intervistës. Ndërkohë, për situatën aktuale dhe krizën në marrëdhënien e tyre, edhe këtë herë mediat do të presin të dëgjojnë “versionin” e vetë Sonit për këtë thashethemnajë.


















