Të gjithë e njohim si Silva e “Të ka lali shpirt”, por në fakt Silva Gunbardhi ka një karrierë edhe më të gjerë sesa kënga e njohur ndërkombëtarisht. Artistja ia ka dalë që të ruajë pozitën e saj në tregun muzikor me produksionet e reja që sjell.

Por këtë herë ne ju propozojmë një tjetër anë të sajën, atë të përditshmen. Paparaci ynë e ka fotografuar këngëtaren në një ditë të zakonshme. Thuajse e pamundur ta dallosh se poshtë kapelës dhe syzeve të diellit, fshihet pikërisht Silva.

Kohët e fundit, artistja është shfaqur në publik disa kile më pak, duke rifituar format e saj të përhershme. E veshur me një fustan sport, çantë sportive dhe atlete të zeza, ajo është parë në një ditë të zakonshme, teksa mbyll angazhimet e saj. Artisten jemi mësuar ta ndeshin në skena dhe në klipe, ku shfaqet gjithnjë e kuruar, ndaj kjo është ndër daljet e saj të vetme krahas asaj që jemi mësuar ta shikojmë.

Vetëm pak ditë më parë, Silva Gunbardhi solli një tjetër këngë. Klipi i këngës është realizuar në Gjirokastër dhe teksti është shkruar nga Ymer dhe Armand Trebicka.
“Frymëzim është jeta e përditshme kur shikoj se djali im rritet me shumë dashuri nga gjyshet e tij dhe unë nuk i ngre dot zërin sepse: Lëre djalin, mos i bërtit djalit. E shoh që ajo është gjithmonë aty gjyshja, e gdhin së bashku me mua kur ai nuk është mirë. Dhe pse jo mendova t’u kushtoj një këngë gjithë gjysheve”, ka treguar Silva.

Në një pjesë të videoklipit, Silva ka kënduar në majë të çatisë dhe ka treguar se ishte një eksperiencë e frikshme dhe bërtiste nga tmerri. “Kam kënduar herën e parë majë çatisë. Nuk e kam rrezikuar jetën kot. Regjisori më thoshte shiko Silva kur të biesh mos bjer nga ana e pazarit se nuk të kemi më, por të paktën bjer këtej, të paktën një dorë, një këmbë ta rregullojmë. Gjithë kohës bërtisja nga frika, nga tmerri. Në majë të çatisë sepse gjyshja mendoj unë është kulmi i një shtëpie dhe për këtë arsye sakrifikova dhe hipa në majë të çatisë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë për të gjithë publikun është ende i freskët sherri i saj me Mandin e Nishtullës pas këngës së famshme që të dy realizuan. Kënga “Të ka lali shpirt”, e kënduar nga Mandi Nishtulla dhe Silva Gunbardhi në vitin 2013, është bërë ‘mollë sherri’ mes dy këngëtarëve.

Ajo u bë hit ndërkombëtar dhe aktualisht shënon mbi 626 milionë klikime në “YouTube”, por këngëtari Mahndela Mustafa pretendon se nuk ka marrë asnjë qindarkë nga paratë e prodhuara nga klikimet edhe pse pretendon se muzika dhe teksti i këngës janë krijuar nga ai personalisht. Ai ka akuzuar kolegen e tij, Silva Gunbardhi, e cila ka arritur të sigurojë një kontratë, nga e cila merr rregullisht 10% të fitimeve. Të dy u përballën në “Shihemi në gjyq” në emisionin “E diela shqiptare” dhe debatuan ashpër me njëri-tjetrin.


