9 Mars, 2025

Fotot nga paparazzi/ Olen Cesari rikthehet në Tiranë, violinisti i famshëm në ish-Bllok! Çfarë ia “rrëmbeu” vëmendjen artistit


Olen Cesari është padyshim ndër artistët që na bën krenarë në gjithë botën. Artisti që me violinën e tij ka interpretuar në skenat më të mëdha, gjen kohë për t’u rikthyer herë pas here në Shqipëri. Po teksa të gjithë presin që kur Olen të jetë në Tiranë, të jetë pjesë e eventeve, apo ta ndeshim në vendet më luksoze, e ndeshim në mes të Bllokut, në këmbë.

olen cesar tirane

Artisti i përmasave botërore, është fotografuar nga paparaci ynë teksa ka ndaluar në një nga librashitësit e rrugës në zonën e Bllokut. I interesuar për librat e përdorur që shiten në rrugë, Oleni duket se po e shijon kohën për të zgjedhur një libër.

Një pamje kjo, në fakt, që nuk na ndodh shpesh që ta ndeshim me VIP-at shqiptarë, ndaj edhe mund të themi se jemi të mahnitur nga kjo pamje kaq e thjesht e artistit. I veshur thjesht dhe në shoqërinë e një miku të tij, Oleni e ka marrë me shumë qetësi zgjedhjen e një libri si dhe bisedën me librashitësin.

Shpesh herë ai rikthehet në Shqipëri, jo vetëm për evente, por edhe për intervista të ndryshme. Pak dihet për jetën private të violinistit, ku vetëm pak kohë më parë, në një intervistë ai pranoi se ishte i fejuar.

“Po, është shqiptare, është super njeri, muzikante. E marr ndonjëherë me vete në udhëtime”, tha Oleni, ndërsa preferoi të mos tregonte më shumë për të dhe identitetin e saj. Gjithashtu, ai foli se kur ka nisur të luajë për herë të parë me publik dhe emocionet që përjetoi.

“Kur unë isha 5 vjeç kam luajtur për herë të parë përpara një publiku në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ishin 300 persona dhe unë kam luajtur Moxartin, mezi e përballova. Dhe kur kam mbaruar shpërtheva në lot. Në koncertet e tjera mësohesh dhe është normale të performosh dhe të mbarosh punë. Më ka ndodhur një herë në Bologna para 2 milionë personave ku ishin të pranishëm Papa Gjon Pali II dhe gjithë qeveria e botës, aty jam shokuar dhe nuk po e kontrolloja dot më publikun, kjo ka qenë e vetmja herë kur nuk kam qenë i qetë. Kujtimet më të bukura janë tek Pallati i Kulturës së Durrësit, ku kam mbajtur koncertin e parë si fëmijë” tha ai, pa harruar të theksonte pasionin e tij për arkeologjinë që ndikohej nga i ati.

I pyetur se çfarë do i thoshte vetes së tij 20 vjeçare, Oleni u shpreh se i vetmi peng i rinisë është udhëtimi dhe eksplorimi i botës. Ai zbuloi se prej kujt e ka marrë këshillën më të vyer në jetë dhe marrëdhënien e veçantë me nënën e tij, njëkohësisht mësuesja e parë e violinës. Me shaka tregon dhe këshillën e nënës para çdo koncerti që i thotë “të marrë me vete një hudhër”, u shpreh Cesari.

Duket se rikthimi i tij në Tiranë këtë herë është vetëm një vizitë për qejf, pasi në agjendën e artistit nuk ka asnjë koncert. Për herë të fundit, Oleni u ngjit në skenën shqiptarë përpara një viti.

“Një herë në dy apo tre vite unë rikthehem në Tiranë për koncert dhe këtë herë do të rivij me repertor të ri, një tur që nis nga Tirana për të vazhduar më pas në të gjithë botën” tha Oleni në fillim të intervistës, duke shtuar se kjo është e bukura, pasi më në fund prodhohet fillimisht muzikë në Shqipëri, e më pas eksportohet”, u shpreh ai vitin e shkuar përpara koncertit që mbajti në Tiranë.

© Panoramaplus.al