Mund ta quajmë si një nga emrat më të dashur për publikun, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej. E kemi fjalën për aktorin Nik Xhelilaj, që një karrierë të suksesshme ka ngritur edhe në Turqi, duke u bërë pjesë e disa serialeve shumë të suksesshëm atje.

Por teksa në Turqi angazhimi i tij vijon, aktori herë pas here gjen kohë për të ardhur në Tiranë, për të shijuar kohën e lirë, por edhe për t’u takuar me miqtë dhe familjarët. Në këto vizita të tij në vendin tonë, shpesh herë e kemi parë të jetë i vetëm, ose në shoqërinë e ndonjë miku. Por kjo duhet thënë se është hera e parë që fotografohet në shoqërinë e një femre. Paparaci ynë, ka mundur të shkrepë disa momente, nga një kafene që Niku ka qenë duke shijuar me një vajzë.

Nuk e dimë ende nëse vajza në fjalë është ndonjë e afërm e tij, mikeshë apo ndoshta dhe partnerja e aktorit. Ajo që shohim është fakti se të dy duken shumë komod me njëri-tjetrin, por nuk ka asnjë sjellje që të tregojë se mes tyre ka një raport romantik. I veshur sportiv dhe tërësisht i përqendruar herë tek telefoni e herë tek shoqëruesja e tij, Niku nuk e ka pasur aspak problem sytë e kureshtarëve që e ndiqnin përgjatë kafenesë.

Të dy duken se e kanë shijuar kafenë, dhe diçka i ka bërë për të qeshur edhe tek telefoni, duke marrë vëmendjen e tyre. Me të përfunduar kafenë, aktori dhe vajza që e shoqëron, janë larguar së bashku, pa shumë zhurmë, duke preferuar që të ecin disa hapa në këmbë. Jeta private e Nikut, ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes, ndonëse vetë aktori nuk ka dashur që të flasë shumë rreth kësaj teme.

Megjithatë, vetëm pak kohë më parë, aktori është dorëzuar dhe ka pranuar se tashmë është gati që të krijojë një familje. Ashtu si vetë ai ka thënë, tashmë është gati që të bëhet edhe baba.
“Deri tani kisha një filozofi shumë të thjeshtë; të duash gjithmonë, të vazhdosh përpara, të zgjohesh, të punosh, të kesh një dëshirë të zgjohesh dhe të nesërmen dhe të pasnesërm. Por sot, pas këtij emocioni që dhatë dhe ju… ngacmuat një ndjesi, mbase mund të vijë një ditë ku dhe unë të kisha një pasardhës, një familje…”

Aktori deklaroi se meqenëse asnjë vajzë turke apo gjermane nuk e ka “goditur” në zemër, mbase i duhet të kthejë sytë nga Shqipëria. Kujtojmë që Nik Xhelilaj, karrierën e tij e ka zhvendosur në Turqi prej vitesh. Më herët në një intervistë ai ka rrëfyer kohën kur është zhvendosur atje.
“Kam qenë 14 vjeç kur shkova në Turqi, kujtoja se kishte qenë ideja vetëm e babit që të shkoja atje, por tani në pandemi kur isha në Shqipëri në mars, para se të ikja më thotë mami “jo jo… unë aplikova emrin tënd…” edhe që të më vinte nga mami kjo surprizë nuk e dija, paska qenë mami fajtore.
Në ato vite më kujtohet rruga që bëja nga Pallati Kulturës deri në Stamboll me autobus dhe në ’97-98 unë e lashë shkollën, vetëm 4 muaj qëndrova dhe u arratisa, e kisha të vështirë se isha i vetmi që vija nga Tirana. Nja 6 muaj nuk më ka folur babai. Ai i shkreti nja tre muaj rresht blinte biletën që të nisesha të hënën për Stamboll”, rrëfeu ndër të tjera ai.









