Renis Gjoka është një nga ata personazhe publike që për sa i përket jetës private, nuk ka dëshirë të përflitet apo lakohet në portale. Atij i pëlqen të mbajë një profil të ulët sa i takon jetës së tij personale dhe ka preferuar që mediat dhe publiku të flasin më shumë rreth punës së tij dhe muzikës. Ai u bë baba për herë të parë rreth tri vite më parë, duke sjellë edhe një shkëputje nga muzika dhe mediat nga ana e tij.

Dhe me sa duket, Renisi është një baba i përkushtuar, teksa së fundmi ai është fotografuar nga paparaci i “Panorama Plus” në një qendër tregtare. Ai së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij, Aurën, po bëjnë blerje në sektorin e fëmijëve.

Renisi ka treguar se ardhja në jetë e Aurës ka ndikuar shumë tek ai. Kohë më parë ai është shprehur se kur lindi vajza vendosi të shkëputej nga muzika dhe mediat për të shijuar çdo sekondë me të. Këngëtari tregoi se i këndon vajzës këngë dhe se asaj i pëlqen shumë “You are so beautiful”.
“I këndoj këngë të huaja. I pëlqen kur këndoj ‘You are so beautiful’. Kohët e fundit kam vënë re që ka qejf edhe Stingun, pasi po shihja një koncert të tij dhe nga fillimi deri në fund u fiksua aty dhe e shijoi komplet. Unë mundohem që, mesa kam mundësi, të ndikoj në shijet e saj muzikore. I këndoj me zë të ulët. Pasi mbaroj këngën, më zë gjumi edhe vetë. Është ndjesi shumë e bukur. Mua më vjen mirë se po e shijoj në maksimum dhe kjo është arsyeja pse jam shkëputur kohët e fundit nga muzika, mediat, intervistat. Jam shumë i dedikuar. I bëj xhiro me karrocë. I kam provuar të gjitha”, tha ai.

Tani, Renisi ka një karrierë të suksesshme si një këngëtar me një ngjyrë zëri shumë të veçantë dhe që lëvron muzikën rok kryesisht. Ndërkohë, ceremoninë e martesës me Jonën e ka bërë pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre. Ndërsa paparazzi ynë fotografoi çiftin gjatë një dite normale me vajzën e tyre.


