Modelja e njohur Emily Ratajkowski është shfaqur pranë regjisorit greko-francez Romain Gavras, ish-partneri i këngëtares shqiptare Dua Lipa.

Fotot e publikuara nga portali “Deux Moi” tregojnë çiftin duke u puthur dhe përqafuar në rrugët e Manhattan-it, mbrëmjen e së dielës, më 9 nëntor.

Kjo është dalja e parë publike e dyshes, duke konfirmuar kështu zërat për një lidhje të re mes tyre.

Ratajkowski u shfaq me një pamje tërheqëse teksa mbante veshur një pallto lëkure ngjyrë kafe, një bluzë të zezë dhe pantallona, të kombinuara me atlete bardh e zi dhe një çantë të zezë.

Ndërkohë, Gavras kishte zgjedhur një stil të thjeshtë dhe elegant, njëpallto blu, këmishë bezhë dhe një bluzë me mbishkrimin “Agios Oros, pemishtja e Virgjëreshës Mari” dhe “Mali Athos”, që përshkruante hartën e Gadishullit Athos, një detaj që ka tërhequr vëmendjen e mediave greke.

Fotot tregojnë çiftin duke shëtitur dorë për dore dhe duke shkëmbyer puthje pranë një hyrjeje metroje, ku në një moment, modelja shihet duke i përkëdhelur butësisht fytyrën partnerit të saj.

Kjo lidhje është e para për Emily Ratajkowski-n pas romancës së saj të shkurtër me këngëtarin Shaboozey gjatë verës së vitit 2024. Më herët, ajo ka qenë e lidhur me emra të njohur si Harry Styles, Pete Davidson, Eric Andre, dhe madje është përfolur për një flirt me Brad Pitt.

Ratajkowski ishte e martuar me producentin Sebastian Bear-McClard, me të cilin ka një djalë, por çifti u divorcua në vitin 2022.

Nga ana tjetër, Romain Gavras ishte në një lidhje me Dua Lipën në vitin 2023. Dyshja debutuan si çift në Festivalin e Filmit në Kanë, por sipas mediave britanike, u ndanë pas tetë muajsh lidhjeje pasi këngëtarja shqiptare vendosi të përqendrohej tek karriera muzikore.


