Cody Detwiler, i cili numëron rreth 6 milionë ndjekës në YouTube, gati humbi jetën kur gjatë xhirimit të një videoje, makina e tij e re luksoze dhe një furgon i marrë me qira morën flakë.

“Me pikëllim të madh ju informoj se Ferrari F8 prej 400,000 dollarësh dhe minibusi që mora me qira u dogjën gjatë xhirimit”, tha Detwiler, 25 vjeç, në një video që ai ngarkoi në YouTube.
Videoja fillon me Detwiler, nga Teksas duke treguar makinën e tij të re për të rritur shikimet, duke ecur me shpejtësi nëpër një fushë me misër të rrethuar me bar të thatë. Papritur, goma e djathtë e makinës merr flakë. Zjarri u përhap menjëherë në fushë dhe furgoni u përfshi nga flakët.

“Ne jemi në rrugë tani por ishim në një arë me misër dhe automjetet tona u përfshin nga flakët, na duhet zjarrfikësja menjëherë,” i tha policisë një nga miqtë e Detwiler.
Brenda vetëm 5 minutave të dyja mjetet janë djegur plotësisht, duke lënë pas vetëm disa pjesë makinash. Synimi i youtuberit ishte të drejtonte këtë supermakinë në kushte ekstreme që të mund të xhironte disa episode, por rezultatet nuk dolën siç i dëshironte ai, citon Protothema.

Supermakinat lëshojnë nxehtësi të pabesueshme, madje edhe kur ngasin në bar të thatë, ato kanë shumë gjasa të marrin flakë. Në rastin konkret, ka mundësi që zjarri të jetë shkaktuar nga mbinxehja e frenave qeramike.
© Panoramaplus.al

