Vanda Nara, në lot. Nuk ishte hera e parë që ndodhte, megjithatë këtë herë nuk janë lot gëzimi. Mbrëmjen e djeshme, Interi nuk mundi të shkonte përtej barazimit (1-1) me PSV-në në “San Siro”: çka do të thotë se zikaltrit largohen nga Champions-i (dhe do u bashkohen “kushërinjve” kuqezinj në Ligën e Europës) ndërsa në 1/8-at kalojnë Barcelona dhe Totenhemi, të ndara po ashtu në një barazim me të njëjtat shifra në sfidën tjetër të Grupit B.

Pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit Feliks Zvajer, bashkëshortja e Mauro Ikardit dhe djali Valentino nuk i kanë përmbajtur emocionet, dukshëm të hidhëruar nga eliminimi i zikaltërve. Vandës, në lot e sipër, i është dashur të ngushëllojë edhe vogëlushin: normalisht nuk mjaftoi goli i argjentinasit për të qetësuar situatën.

MAURO I DËSHPËRUAR – I cili festoi, dje, për herë të 119-të në ndeshjen e 200-të me fanellën interiste: me siguri një lider si ai do e kishte shkëmbyer golin me kualifikimin e skuadrës për të gëzuar të gjithë në këtë ditë simbolike. Por, goli i tij, megjithëse mbajti në lojë Interin deri në minutën e fundit, nuk mjaftoi për të vazhduar “ëndrrën” europiane. I intervistuar nga “Sky Sport” në përfundim të sfidës, bomberi është shprehur (edhe ai me sytë që shkëlqenin nga dëshpërimi) kështu për daljen e Interit nga Liga e Kampioneve 2018-’19. Të pakta, megjithatë, fjalët: “Sigurisht, inati qëndron. Donim të kalonim fazën. Totenhemi barazoi në krahun tjetër, ne duhet të fitonim: na mungoi edhe fati, sepse në sulm krijuam raste, por nuk arritëm të shënonim. Meritonim 1/8-at, pasi treguam se mund të përballemi me këdo. Një mëkat i vërtetë”.


