E veshur si nuse, për t’i kënduar engjëllit të saj mbrojtës, nënës së saj të ndjerë.
Por kundër atmosferës së kësaj balade drithëruese të Xhesika Polos, në rrjetet me shpejtësi qarkulloi një foto e këngëtares Xhesika Polo ku i dukeshin pjesët intime, nga performanca e saj natën e dytë të “Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH”.
Artistja kishte zgjedhur një veshje ku mbizotëronte tyli në ngjyrë nude, kurse në disa pjesë kishte detaje të qëndisura në ngjyrë të bardhë.
E sapo ka parë ç’po ndodh në rrjet, Xhesika ka reaguar menjëherë në llogarinë e saj në “Instagram”, duke hedhur dritë mbi historinë e pozës të përfolur.
Polo e ripublikoi foton që qarkulloi në rrjet bashkangjitur me foton që ajo vetë ka publikuar me të njëjtën veshje, teksa krahas saj shkroi: “Kjo në të majtë ishte veshja ime natën e dytë të ‘Festivalit të 59-të’ në RTSH! Kjo fotoja në të djathtë është një foto që po qarkullon në rrjet këto dy ditë me komente të tmerrshme e mllef e vrer! Unë sot u hasa me të dhe jam e shokuar! Nuk dua të zgjatem shumë, ama dy fjalë do t’i them… Më vjen keq për mendjen e sëmurë që tregon ajo foto e bërë në atë mënyrë, që ndjesia e vetme që morën nga kënga ime ishte të shkrepnin me vrap këtë foto dashakeqe që të ndiheshin pak më mirë për veten. Veshja ime nuk është transparente dhe kjo shihet qartë në foton me cilësi! Kushdo që ka njollosur imazhin tim, do të përballet me instancat përkatëse, sepse nuk është normale të lëndoni njerëzit dhe të flini rehat! S’e di si ju zë gjumi?! Unë gjithsesi do fle shumë e qetë sot, pasi kam bërë një këngë shpirti që e kanë vlerësuar dhe e kanë dashur mijëra njerëz dhe për mua kjo ka rëndësi”.
Xhesika është këngëtarja që u zbulua nga një ndër talent- show-t më të njohur “X Factor”. Ajo që ra që në fillim në sy asokohe kur Xhesika ishte rreth 15 vjeçe, ishte një potencë vokali që të linte pa fjalë, e për të cilin shquhet ende.
Edhe në këtë këngë, ajo shprehu potencialin e saj në këngën që ia dedikoi nënës, që u nda nga jeta para kohe këtë vit. Lajmi u njoftua nga vetë Xhesika dhe tezja e saj, Valbona Mema.
Pa dyshim kjo ishte një humbje e madhe për këngëtaren, e cila e kujton me mall.
Në një postim në “Instagram”, ajo shprehej se e ëma do mbetet përgjithmonë në zemrën dhe mendjen e saj, duke e përshkruar si femrën më të bukur dhe të fortë që ka njohur.
Gjithashtu, Xhesika falënderonte nënën që e rriti dhe e mësoi të dojë veten e të bëhej e pavarur.
Ndërsa postimin e saj e mbyll me një dedikim prekës: “Unë buzëqesh sepse ti nuk doje të shihje asnjëherë lot në sytë e mi”, shprehej ajo.
Lidhur me sigurinë skenike, këngëtarja e njohur Xhesika Polo i la pa fjalë ndjekësit e saj në llogarinë e “Instagram”-it, teksa publikoi një foto me bikini para dy vitesh. Xhesika postoi një fotografi ku nuk kishte përdorur as “photoshop” dhe as filtra, duke marrë shkas nga kolegia e saj Ronela Hajati, e cila më parë publikoi foto me bikini të pamodifikuar.
Polo në foto shfaqej me bikini pranë një pishine dhe bashkëngjitur me të shkruante se “askush nuk është perfekt”.
“Askush nuk eshte perfekt! Duke u munduar të dukemi sa më idealë për sytë e publikut, harrojmë të jemi të vërtetë… Kjo është një foto E VERTETE. Nuk paska gjë më të bukur se të jesh rehat në lëkurën tënde. (Shtysë për të postuar këtë foto m’u bë Ronela Hajati me postimet e saj të fundit)”, shkruante këngëtarja krahas fotos.
Ndërkohë, sa u përket daljeve skenike, ajo gjithmonë përpiqet të shfaqet ndryshe dhe me fustane madhështore skenike.













