Lottie Moss ka tërhequr gjithë vëmendjen në festivalin Glastonbury 2025, duke rikrijuar një nga pamjet më ikonike të motrës së saj, supermodeles së famshme Kate Moss, nga viti 2005.

27-vjeçarja postoi disa foto në Instagram, ku shfaqej me një fustan të shkurtër të thurur në ngjyrë ari dhe një rrip të zi në bel, duke rikthyer nostalgjinë e stilit që bëri histori gati 20 vite më parë. Pamja e saj u krahasua menjëherë me atë të Kate Moss në Glastonbury 2005, një moment mode që vazhdon të jetë simbol i stilit “boho-chic” festiv.

E kombinuar me çizme të larta të zeza dhe flokë bjonde të valëzuara, Lottie dukej si një “version i ri” i motrës së saj legjendare, duke marrë vlerësime të shumta nga ndjekësit dhe fansat e modës. “Glastonbury 2025, dashuri për të gjithë ata që e bënë këtë vit më të mirin deri më tani”, shkroi ajo krahas postimit të saj.

Fotot bënë xhiron e rrjeteve sociale, me shumë përdorues që e vlerësuan zgjedhjen si një homazh stilistik plot shije dhe vetëbesim, ndërsa media si Page Six theksuan ngjashmërinë e jashtëzakonshme midis të dyjave.

Lottie Moss po tregon gjithnjë e më shumë se edhe ajo ka vendin e vet në botën e modës dhe stilit, dhe këtë herë, e bëri me një rikthim të fuqishëm në të kaluarën që ende frymëzon.



