Pjesë nga shfaqjet më të suksesshme musical nëpër botë, sfida të forta mes më të mirëve të mbetur ende në garë, debate e batuta që asnjëri prej anëtarëve të jurisë e konkurrentëve nuk ja la pa ia kthyer njëri- tjetrit, emocione, shkëlqim, të ftuar specialë, numra baleti të intepretuar me finesë nga balerinët e “Dancing”, improvizime që sollën një mbyllje fantastike, sa tensionuese aq dhe të gëzueshme.
Nata gjysmëfinale e “Dancing with the stars” i kishte të gjitha elementet që i duhen një spektakli për t’u dukur i gjithi si magji. Por në fakt gjithçka ishte reale që ndodhte në kohë reale aty në skenën e teatrin e kërcimit.

E si të mos mjaftonte çdo kërcim që nga “Mama Mia”, “The Lion king”, “Chicago”, “Cats” etj, apo dhe “Romeo e Zhuljeta” e “10 Urdhëresat”, të kënduar nga Venera Lumani dhe Lind Islami edhe fundi do të bëhej një spektakël më vete. Pushtetin në atë moment do ta kishte thjesht improvizimi, formula surprizë e garës që në këtë edicion ka qenë kryefjala e çdo nate, më dominues se kurrë më parë.
Në momentin më kyç kur të gjithë prisnin të mësonin përballjen e natës së dy çifteve në danc off, kryetari i jurisë, Ilir Shaqiri vendosi të përballë në danc off dy prej konkurrenteve më të forta në këtë edicion të “Dancing with the stars”, Soni Malajn dhe Aulona Mustën. Askush nuk po kuptonte se çfarë do të ndodhte, se kush prej vajzave do të largohej, deri në momentin që Shaqiri dha vendimin se në fakt të dyja konkurrentet janë finaliste në këtë edicion.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ky ishte momenti më spektakolar që do të pasohej nga një tjetër improvizim shumë interesant, alla reality show. Dy balerinët Dioni dhe Graciano kërcyen së bashku tango, një alamet tango prej profesionistësh. Ndërsa dy konkurrentet Aulona dhe Soni u bënë bashkë për të sfiduar djemtë me tangon e tyre sensuale.
Duartrokitjet pushtuan sallën për ta mbyllur kështu gjysmëfinalen që shpalli dhe gjashtë finalistët që do të synojnë fort çmimin e madh këtë të premte, në finale e madhe. A do të ketë garë të fortë mes tyre? A do të ketë spektakël të garantuar? A do të ketë të ftuar specialë? A do të ketë surpriza nga ato që do t’i lënë konkurrentët me gojë hapur? A do të ketë emocione të forta? Ka vetëm një përgjigje me P dhe O të madhe: PO. Padiskutim që PO. Do të ketë dhe të ftuar të huaj madje.
11 javët e “Dancing with the stars” janë dëshmia që na ka rritur pritshmëritë të besojmë fort në një grand finale. Gjashtë finalistët Zhusti, Soni, Kristi, Landi, Aulona dhe Amosi janë gjithashtu personazhet prej të cilëve duhet të presim një sfidë të fortë. E premtja është shumë afër.
Panorama Plus
© Panoramaplus.al
