17 Mars, 2022

Fansat e akuzuan se iu gëzua shkarkimit të vëllait të Leonora Jakupit nga puna, reagon Adelina Ismaili


Rivaliteti mes dy këngëtareve të njohura shqiptare Adelina Ismaili dhe Leonora Jakupi është vendosur sërish në qendër të vëmendjes. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Në Kosovë shkarkoi 11 diplomatë dhe në mesin e emrave të shkarkuar ishte edhe vëllai i Leonorës.

Pas këtij vendimi, Adelina postoi një status në Instastory duke lënë të nënkuptohet që ishte një mesazh për këtë rast. “Fshesë, fshesë dadës”, shkroi fillimisht ajo.

Ky status mori shumë vëmendje nga ndjekësit dhe mediat në Kosovë, duke bërë që këngëtarja të reagonte sërish me një status tjetër.  “Fshisa (fshesa) është mjet për pastrimin e mbeturinave. Kurse juve gazetar të caktuar turp të ju vjen që krahasoni një diplomat me një mbeturinë. Tregoni pak nivel ju lutem. Shëroni komplekset”, shkroi në një tjetër status Adelina.

Kujtojmë se prej rreth dy dekadash këngëtaret janë në rivalitet dhe nuk kanë raporte aspak të mira. Nëse në ditët e sotme këngëtarët ironizojnë njëri-tjetrin me anë të ”diss-eve”, në fillim të viteve 2000 një fenomen i tillë nuk ishte i përhapur sidomos në vendin tonë. Ndaj debati dhe përleshja fizike mes Adelina Ismailit dhe Leonora Jakupit nuk mund të mos bënte bujë për publikun.

Dy këngëtaret e mirënjohura u kthyen në lajmin më të diskutuar të momentit, pasi kurrë më parë nuk ishte parë e dëgjuar një gjë e tillë në radhët e artistëve shqiptare. Vetëm pak kohë më parë Adelina ka sqaruar se si lindi konflikti me Leonorën.

”Mbaj mend se ishte një garderobë e ngushtë, Leonora kaloi dhe shtyu mamanë time, e cila i bërtiti pak për shkak të stresit të xhirimeve. Kur mami i tha ‘kujdes’, ajo e kapi prej fyti dhe aty ndërhyra unë. Unë ende nuk e kam të qartë nëse jemi apo jo rivale, por sinqerisht e them se nuk kam xhelozi për askënd. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur gjithmonë prej palës tjetër.” –tregon Adelina duke i vënë kapakun njëherë e mirë, të paktën versionit të saj të historisë së bujshme.

© Panoramaplus.al