5 Shkurt, 2025

Eurovision 2025/ Kënga përfaqësuese greke “tensionon” Turqinë! po ndodh mes dy shteteve?


Greqia ka përzgjedhur “Asteromata” si këngën përfaqësuese të shtetit të saj, e kënduar nga artistja e re Klavdia, por duket se Turqia nuk është shumë e lumtur me këtë zgjedhje.

Përmes një njoftimi për shtyp, faqja zyrtare e Eurovizion Turqia, shkruan se disa media greke pretendojnë se kënga “Asteromata” është frymëzuar nga gjenocidi i Pontus, gjë që ka shqetësuar shtetin turk.

Në njoftimin zyrtar, faqja e Eurovizion Turqia shkruan:

Më 30 janar, Greqia zgjodhi përfaqësuesen dhe këngën e saj në Eurovision 2025. Klavdia do të përfaqësojë Greqinë me këngën e saj Asteromáta. Në shtypin grek dhe mediat sociale u pretendua se kënga ishte shkruar dhe frymëzuar nga gjenocidi i Pontit dhe refugjatët.

Gjithashtu, para finales kombëtare, Klavdia bëri deklaratën e mëposhtme në një program në kanalin shtetëror ERT:

Familja ime është me origjinë nga Ponti, janë refugjatë dhe prandaj lidhem me këngën. Gjyshja më tregoi historitë e saj, foli për familjen e saj, si u internuan dhe shkuan në Bashkimin Sovjetik në atë kohë. Familja ime lindi atje, u rrit atje deri në një moshë të caktuar dhe u kthye në Greqi në vitin 1991 për të filluar një jetë të re.

Kështu, kontaktuam TRT-në dhe u njoftua se kënga do të shqyrtohej nga ata, si dhe shqetësimin e Turqisë në përputhje me akuzat, do e përcjellin në nivelin më të lartë. Ne do të presim zhvillimet e radhës dhe do t’ju raportojmë ato.

Kështu, midis Turqisë dhe Greqisë duket se janë shkaktuar disa tensione për këngën përfaqësuese të heleneve në Eurovizion, për shkak të historisë së gjenocidit të Pontit, një plagë për dy popujt.

Çfarë është gjenocidi i Pontit?

Gjenocidi i Pontit ishte një spastrim etnik dhe masakër e kryer nga Perandoria Osmane dhe më pas nga Republika e Turqisë kundër grekëve pontikë (grekëve të rajonit të Pontit në brigjet e Detit të Zi) midis viteve 1914 dhe 1923.

Gjatë kësaj periudhe, mijëra grekë u vranë përmes masakrave, deportimeve dhe marshimeve të detyruara në kushte ekstreme.

Shumë të tjerë u detyruan të braktisin shtëpitë dhe të emigrojnë. Ky gjenocid ndodhi paralelisht me gjenocidet armene dhe asiriane dhe është ende një çështje e diskutueshme në historiografinë turke dhe ndërkombëtare.

© Panoramaplus.al