Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka thyer më në fund heshtjen: ajo dhe aktori britanik Callum Turner janë zyrtarisht të fejuar.

Propozimi romantik ndodhi në prag të Krishtlindjeve, kur Callum, me ndihmën e motrës së Duas, Rinës, dhe disa prej miqve më të afërt të saj, dizajnoi një unazë diamanti të personalizuar për artisten me origjinë shqiptare.

Pas muajsh spekulimesh dhe thashethemesh – të nxitura edhe nga një foto virale ku këngëtarja shfaqej me një unazë vezulluese në gisht – konfirmimi erdhi përmes një interviste për British Vogue.

“Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese. Jam shumë e lumtur. Është bukur kur personi me të cilin do të ndash jetën të njeh kaq mirë,” tha Dua Lipa me entuziazëm.
Asnjë plan konkret për dasmën – për momentin
Megjithëse çifti duket më i dashuruar se kurrë, përgatitjet për dasmën ende nuk kanë nisur.
“Dua ta përfundoj turneun tim, Callum po xhiron… kështu që po e shijojmë këtë kohë. Nuk kam qenë kurrë nga ato që ëndërrojnë për dasmën – dhe tani papritur them: ‘Oh, çfarë do të vesh?’,” u shpreh me humor këngëtarja.
Kush është Callum Turner?
Callum Robilliard Turner, i lindur më 15 shkurt 1990 në Londër, është një aktor dhe ish-model i njohur britanik. I rritur nga nëna e tij në lagjen Chelsea, Callum dikur ëndërronte të bëhej futbollist, por rruga e tij u kthye drejt botës së modës dhe më pas aktrimit.
Ka punuar për marka si Burberry, ndërsa në aktrim u bë i njohur fillimisht për rolin në “Queen and Country”, e më pas për suksesin e tij në filmat “Green Room”, “Fantastic Beasts”, si dhe së fundmi në serialin e Apple TV+ “Masters of the Air”.
Përpara lidhjes me Duan, ai ishte në një marrëdhënie me aktoren Vanessa Kirby (2015–2019).
Një histori dashurie që nisi në mënyrë diskrete
Dua dhe Callum ndezën thashethemet për lidhjen e tyre në janar 2024, kur u panë së bashku pas premierës së “Masters of the Air”. Më pas, u fotografuan gjatë një takimi në Los Angeles dhe pesë muaj më vonë e bënë zyrtare romancën në Instagram, duke marrë vëmendjen e mediave dhe fansave anembanë botës.
© Panoramaplus.al

