10 Mars, 2018

Erion Zeqiraj: Puna ime e re në Bashki si vartës i Erion Veliaj dhe plani për t’iu rithyer ekranit


Moderatori televiziv Erion Zeqiraj, i cili përveçse protagonist i “Big Brother 3” është dhe një personazh i njohur televiziv, tashmë i ka hyrë karrierës së punës në administratë si specialist në një nga drejtoritë e Bashkisë së Tiranës.

Për punën e re si vartës i Erion Veliaj, ambicien në politikë, rikthimin në televizionin, transformimin fizik dhe femrat, ai rrëfehet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pas shumë vitesh karrierë në disa televizione kalon në administratë si specialist në Bashkinë e Tiranës. Si ndodhi që u emërove në këtë pozicion?

Nuk e kisha menduar ndonjëherë të punoja në administratë. Ndonjëherë gjërat ndodhin edhe papritur. Është një pozicion që ke kontakt me qytetarët dhe është nga gjërat që kam dashur përherë, të jem pranë tyre.

Kjo do të thotë, po i hyn një karriere të re që s’do të ketë kthim pas?

Unë kam studiuar psikologji dhe master për Komunikim Marrëdhënie me Publikun. Puna në bashki është një mundësi e re dhe eksperiencë që po më mëson shumë, duke i prekur vetë nga afër problemet e qytetit. Më ka ndihmuar shumë ta shikoj qytetin në një tjetër dimension, krahasuar me atë që e shohim çdo ditë, me syrin e qytetarit.

Mund të themi se tashmë i ke hyrë politikës dhe se mund të shohim në pozicione më të rëndësishme?

Nuk është se kam ndonjë aspiratë për të hyrë në politikë, por kurrë mos thuaj kurrë! Shpeshherë gjërat më ndodhin dhe kur nuk i mendoj ose i kërkoj. Por nuk do i thosha “jo” një detyre që do të më mbante afër me qytetarët dhe t’u jepja sa më shumë të kisha mundësi, për t’ua lehtësuar dhe bërë më të bukur jetesën në qytetin tonë.

Cila është puna jote konkrete dhe sa të lidh puna me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj?

Më shumë se me kryetarin, puna më lidh me qytetarët. Dhe me kryetarin na lidh dëshira e madhe për të ndryshuar qytetin. Konkretisht, unë jam në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi, ku merremi me administrimin e hapësirave të përbashkëta për të bërë një jetë më të mirë në komunitet. Zgjedhja e administratorëve të pallateve është një domosdoshmëri për këtë mbarëvajtje.

Po dëshira jote për televizion ekziston ende dhe si mund të rikthehesh?

Asnjëherë nuk kam hequr dorë nga televizioni. Thjesht jam duke pushuar për t’u rikthyer seriozisht. Pas kaq shumë vitesh, çdo ditë në ekran, duhet pak pushim se bëhesh edhe i bezdisur për njerëzit po të rrish çdo ditë në TV. (qesh)

Dimë që pasi u shkëpute nga televizioni, mbarove një shkollë për trajner. Është ky një tjetër profesion i yti i mundshëm?

Sporti është një nga dashuritë e mia. Aktualisht luaj volejboll me ekipin e Tiranës dhe jam i fokusuar aty. Kur të mendoj të heq dorë nga sporti i luajtur, besoj do të jem pranë tij në një tjetër post.

Panorama Plus

© Panoramaplus.al