Një aktor i famshëm izraelit, i njohur më së shumti për rolin e tij si ushtar i forcave speciale në serialin hit të Netflix “Fauda”, është plagosur rëndë në Gaza, ndërsa luftonte për ushtrinë izraelite kundër Hamasit.

Idan Amedi, 35 vjeç, është në gjendje kritike në ICU në Qendrën Mjekësore Sheba Tel Hashomer pranë Tel Avivit, tha një zëdhënës i spitalit.
Babai i aktorit ka treguar për mediat se djali i tij ndodhej jashtë rreziku për jetën.
“Nuk ka asnjë rrezik për jetën e tij”, është shprehur ai.
Amedi, i cili është me origjinë kurde, fitoi famë në vitet 2010 si kantautor përpara se t’i bashkohej kastit të “Fauda” në 2017. Në serial ai luan rolin si një anëtar i një njësie të forcave speciale izraelite në serial, i cili ndjek një agjent izraelit i cili del nga pensioni për të ndjekur një luftëtar palestinez.
Amedi kishte dalë vullnetar për të luftuar për ushtrinë izraelite në Gaza pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor, sipas bashkëkrijuesve të “Fauda”, Lior Raz dhe Avi Issacharaoff.

“Idan është një hero i vërtetë dhe që në ditën e parë të luftës ai vendosi të linte gjithçka mënjanë dhe të shkonte të luftonte. Fillimisht në veri dhe më pas në jug të Gazës”, thanë miqtë e tij.
Edhe izraelitë të shquar, përfshirë ministrin pa portofol Chili Tropper dhe këngëtarin folk-rock Shlomo Artzi, shprehën shqetësimin e tyre për Amedin dhe i uruan shërim të shpejtë.
Pak para se të plagosej, Amedi foli për një kanal televiziv izraelit për luftimet në Gaza.
“Është çmenduri, ajo që Hamasi ka ndërtuar këtu,” tha ai për Channel 12. “Operacioni këtu është në një rrugë shumë qendrore. Këtu kemi gjetur kilometra tunele, armatim, madje edhe armatim special. Ne kemi qenë të zënë dy ditët e fundit duke u përpjekur ta shkatërrojmë atë”, ka treguar ai, sipas CNN.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pretendojnë se Hamasi ka ndërtuar një labirint tunelesh që përfshin të gjithë brezin, një rrjet nëntokësor që përdoret për të transportuar njerëz dhe mallra, për të ruajtur raketa dhe municione dhe për të vendosur qendrat e kontrollit të Hamasit.
Hamasi në vitin 2021 pretendoi se kishte ndërtuar 500 kilometra (rreth 311 milje) tunele nën Gaza, megjithëse është e paqartë nëse kjo shifër ishte e saktë apo e qëndrueshme.
Gjatë ofensivës së saj të vazhdueshme në enklavë, ushtria izraelite pretendon se ka shkatërruar qindra boshte tuneli dhe ka zbuluar shumë të tjera, duke përfshirë Spitalin Al-Shifa, i cili u rrethua nga IDF në nëntor.

Të paktën 185 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe më shumë se 1,000 të tjerë janë plagosur në luftime në Gaza që kur forcat izraelite e përforcuan ofensivën e tyre tokësore në fund të tetorit, sipas IDF.
Që nga 7 tetori, më shumë se 23,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 59,000 të tjerë janë plagosur në Gaza, tha të martën Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në enklavë.
© Panoramaplus.al
