2 Qershor, 2025

Eiza González nuk xhelozon, përkrah lidhjen e ish të dashurit me Kylie Jenner: Duken bukur bashkë


Eiza González ka reaguar për herë të parë mbi marrëdhënien romantike të ish-partnerit të saj, aktorit të njohur Timothée Chalamet, me ikonën e rrjeteve sociale dhe biznesmenen Kylie Jenner.

Në një intervistë për revistën Cosmopolitan, aktorja meksikane mbajti një ton mjaft pozitiv dhe përkrahës, duke dëshmuar maturi dhe respekt ndaj së kaluarës.

Jam e emocionuar për ta dhe e dua Timmy-n. Ai është më i talentuari dhe më i ëmbli, vërtet një njeri i mrekullueshëm. Jam shumë krenare që e shoh të ecë përpara në karrierën e tij. Jemi thjesht miq të mirë, ” u shpreh González.

Aktorja shtoi se jo vetëm që nuk ndjen asnjë pakënaqësi për lidhjen e re të Chalamet, por përkundrazi, e përgëzon çiftin.

“Ishin shumë të lezetshëm bashkë në foto,” tha ajo me entuziazëm, duke iu referuar një postimi të fundit në Instagram ku Timothée dhe Kylie shfaqen të përqafuar në tapetin e kuq, teksa shtoi: “Duken kaq të dashuruar dhe shumë të kombinuar.”

Kur u pyet me humor se çfarë ndodhi në të vërtetë mes saj dhe Timothée, Eiza qeshi dhe preferoi të mos japë detaje, duke mbetur diskrete për jetën e saj private.

González dhe Chalamet u përfolën për një romancë të shkurtër në verën e vitit 2020, kur u fotografuan së bashku gjatë pushimeve në Cabo San Lucas, Meksikë. Ndërkohë, lidhja e Chalamet me Kylie Jenner u bë publike në prill të vitit 2023, dhe vetëm pak ditë më parë, çifti bëri paraqitjen e tyre të parë zyrtare në tapetin e kuq gjatë Çmimeve David di Donatello, në Romë.

Ndërkohë, Eiza González është aktualisht në një lidhje me tenistin bullgar Grigor Dimitrov. Ajo tregoi për Cosmopolitan se njohja e tyre nisi nga një mesazh i sjellshëm që ai i dërgoi në rrjete sociale.

“Ai ishte një zotëri i vërtetë… më bëri përshtypje. I dhashë një shans dhe ja ku jemi sot!”, u shpreh ajo.

© Panoramaplus.al